Tre orë zgjati akti i radhës së mosbindjes civile të opozitës. Nisi në orën 17:00 direkt me bllokimin e pikave kryesore në pesë kryqëzime në Tiranë.
Policia reagoi për t’i larguar protestuesit por hasi në rezistencë nga opozitarët.
Shtyrje dhe përplasje nga Rruga e Elbasanit ku ishte vendosur Flamur Noka, tek Pallati me Shigjeta ku ishte Bledjon Nallbati, ‘Zogu i Zi’ por edhe bashkia e Tiranës.
Rreth orës 20 të mbrëmjes kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi njoftoi se mosbindja civile për sonte ka përfunduar.
“Protestën e çuam deri në fund sikur ishte planifikuar. Protestuesit do të vinin për t’u grumbulluar në protestën qendrore përpara bashkisë së Tiranës.
Tani do i bindemi vullnetit të qytetarëve për të vazhduar protestën aq sa është e nevojshme. Hapat do i bëjmë të ditura hap pas hapi” tha ai.