Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektin e Parkut Tematik Retro në Bulqizë, duke theksuar se ky është një projekt i veçantë që do të transformojë një territor që deri në vitet 2000 ka pasur funksion ushtarak dhe që tani është i degraduar.
Ai nënvizoi se ky park do të krijojë një destinacion turistik të veçantë, i cili do të përfshijë aktivitete për artizanët dhe fermerët e zonës, duke përfshirë gratë dhe komunitetin lokal që kultivojnë tradita të pasura ushqimore dhe artizanale.
“Deri dje të flisje për turizmin të shihnin me sy shtrembër sikur po talleshe. Se këtu është problem i madh, kur flet, se të gjithë të shohin gati për të të kapur gabim, pastaj ta hedhin fjalën nga e majta, ndërkohë që therja e fjalës të vjen nga e djathta”, tha Rama.
“Është vërtet kënaqësi që rikthemi sot në Bulqizë bashkë me Belindën dhe FSHZH për të hapur kantierin enjë projekti është shumë i veçantë në llojin e vetë sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territor që deri në fillim të viteve 2000 i ka përkitur ushtrisë shqiptare dhe sot është një shëmbëlltyrë e degradimit.
Por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë, ku FSHZ jo vetëm do të ndërtojë gjithë këtë infrastrukturë, por do të krijojë kushtet për të mikpritur në këtë infrastrukturë, artizanët e zonës, gra, të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, traditës artizanale të kësaj zone.
Do të mirëpresë po ashtu kjo hapësirë ata të cilët kultivojnë apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale.
Do të mirëpresë familjet, më të rinjtë, gjyshërit dhe fëmijët në hapësirat rekreative.
Do të mikpresë udhëtarë, vendas që kalojë përmes kësaj zone, apo turistë të huaj, që po rriten në mënyrë befasuese vit pas viti në këtë qark, ku deri dje të flisje për turizmin të shihnin me sy shtrembër sikur po talleshe.
Se këtu është problem i madh, kur flet, se të gjithë të shohin gati për të të kapur gabim, pastaj ta hedhin fjalën nga e majta, ndërkohë që therja e fjalës të vjen nga e djathta”, tha Rama.