Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë. Ky vit ka qenë i mbushur me zhvillime të shumta politike me kryefjalë drejtësinë dhe masën e arrestit për Sali Berishën.
Eliona Kodra Shkreli, anëtare e Këshillit Bashkiak të PD-së në Shkodër në një postim në rrjetet sociale thotë se shqiptarët sot duhet të pavarësojnë sërish Shqipërinë duke dënuar dhe larguar me votë diktatorët e vegjël, referuar kryeministrit Rama që po kërkon mandatin e katërt.
“Sot dita e Pavarësisë, Festa e Flamurit!
Dita më e rëndësishme në kalendarin e festave kombëtare që na bën të krenohemi dhe të gëzojmë!
Kjo ditë është ditë reflektimi sa kemi arritur të përmbushim idealin e etërve të kombit të cilët 112 vjet më parë realizuan projektin më të rëndësishëm, krijimin e shtetit shqiptar!
Por, a jemi vërtetë të pavarur sot, pas 112 vitesh?
Vëndi ynë për gjysëm shekulli përjetoi një nga diktaturat me të egra në botë, një regjim totalitar ku u mohua çdo e drejtë elemementare njerëzore, u mohua liria. Sot jemi në një regjim të ri, në një regjim që ka centralizuar gjithçka tek një individ i vetëm i cili ka kapur çdo institucion dhe drejton me disa servilë banditë të cilëve i hedh nga një kockë sa për t’i mbajtur të lidhur pas vetes dhe të jenë ushtarë të bindur.
Shqipëria sot do duhej të ishte e përqafuar me tregun e lirë dhe konkurencën e ndershme. Por në fakt, vëndi ynë ka sot lëndë të parë eksportimin e kanabisit dhe kalimin tranzit të kokainës. Investimet janë ‘lavatriçe’ e pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit.
Drejtësia është sot më e varur se kurrë ku shërbimi ndaj politikës është shumë më i rëndësishëm sesa shërbimi ndaj ligjeve. Një drejtësi ku i forti sundon mbi ligjin ndërsa qytetari i thjeshtë sorollatet dyerve të gjykatave pa gjetur të drejtën e vet.
Shqiptarët sot duhet të pavarësojnë sërish Shqipërinë duke dënuar dhe larguar me votë diktatorët e vegjël të cilët shtetin e shohin vetëm për interesin e tyre vetjak duke monopolizuar çdo pushtet në duart e tyre.
Sot duhet të jetë ditë reflektimi për Shqipërinë e nesërme!
Gëzuar ditëlindjen Tënde Shqipëri” shprehet ajo.