-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në Itali, feston Ditën e Flamurit/ Alket Veliu: Armiqtë copëtuan tokat tona, por kurrë zemrat tona

Kryesoret

28 Nëntori u shndërrua në një festë gëzimi për emigrantët shqiptarë, që jetojnë, në regjionin e Toskanës, Itali. Si asnjëherë tjetër kishin mbushur sallën dhjetra shqiptarë, me origjinë nga Çamëria, por edhe nga krahinat e tjera të Shqipërisë, madje dhe arbëreshë, që jetojnë në Siena, çfarë tregon se atdhedashuria dhe krenaria kombëtare do të vazhdojë brez pas brezi.

Dita e Flamurit Kuq e Zi, në të gjitha kohët, ishte dhe do të mbetet përjetësisht frymëzimi më shkëlqyes shpirtëror e kombëtar, për të gjithë shqiptarët atdhedashës dhe patriotë, pasi është dita më e shënuar në historinë e kombit tonë, është festa e krenarisë sonë kombëtare, tha në çelje të aktivitetit kryetari  i fondacionit  Çamëria “Hasan Tahsin” të sapokrijuar në rajonin e Toskanës, Rezart Rusi: Kënaqësia ime t’iu përshëndes në këtë ditë, është e dyfishtë, si stërnip i njërit prej delegatëve të Çamërisë, në Kuvendin e Vlorës, Jakup Vesel Margëllëcit, i cili shkoi si delegat në Vlorë, së, bashku me Veli Gërrën, Aziz Tahir Ajdonatin dhe Rexhep Demin. Kam ardhur në Itali vetëm 7 vjeç.

U rrita, u shkollova dhe u bëra prind i dy fëmijëve. U integrova në shoqërinë italiane dhe i jam mirënjohës këtij vendi për mundësitë që më dha, por integrim nuk do të thotë të zhvishemi nga vlerat kombëtare, tha më tej Rezart Rusi. Ashtu si marrim nga shoqëria italiane, ne transmetojmë pjesë të identitteit kombëtar, kulturën tonë, dhe shpirtin e sakrificës për të rritur fëmijë dinjitozëdhe të barabartë, me bashkëmoshatarët e tyre italianë . Sfida më e madhe e jona është, ruajtja  e identitetit tonë shqiptar dhe trashëgimi i këtij identiteti te fëmijët tanë.

Nëse nuk do ta realizojmë këtë mision, fëmijët tanë dhe brezat që vijnë do të na dënojnë, por do të na dënojë edhe historia. Ne shqiptarët në Itali kemi një model të shkëlqyer, arbëreshët, të cilët për pesë, shekuj ruajtën gjuhën, traditat, historinë, pa harruar kurrë rrënjet e tyre. Ne kemi nevojë të mblidhemi shpesh si sot të promovojmë historinë dhe kulturën tonë, personalitetet që kanë, shenjuar jetën e kombit tonë.

Pa ringjallje të vlerave tona historike, që forcojnë vetëdijen tonë, kombëtare, nuk mund të jemi mendjehapur drejt integrimeve të reja. Kjo është arsyeja pse menduam të krijojmë, fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini” me seli në Poggibonsi, tha në mbyllje zoti Rusi. Kemi ndjekur me vëmendje aktivitetet e fondacionit në Tiranë, me pjesëmarrjen e shumë historianëve, akademikëve, diplomatëve, njerëzve të letrave dhe të artit, dhe na kanë frymëzuar e bërë krenarë.

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Ahmet Mehmetifoli për vlerat e librit të, poetit Arben Iliazi “Histori e Çamërisë përmes heronjve të saj”, duke e cilësuar atë, si nga më uniket në llojin e vet, për nga mesazhet që përcjell dhe vlerat artistike e historike që mbart. Përpara se të jetë një libër historie, libri është një vepër letrare me mesazhe të fuqishme për ruajtjen në breza të trashëgimisë çame, për të forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare, që të mos braktiset e harrohet kjo vatër e rëndësishme e djepit kombëtar.

Lidhur me historinë e Çamërisë, historiani i shquar britanik, Prof. Dr. Noel Malkolm ka thënë: “Fati i shqiptarëve çamë, është një nga sekretet më të errëta të historisë moderne të Europës”, tha zoti Mehmeti. Kurse për lidhjet e historisë, me letërsinë, shkrimtari ynë i madh me famë botërore Ismail Kadare ka theksuar: “Letërsia ka lidhje me historinë e fshehtë”.

Pikërisht këtë histori autori ynë Arben Iliazi na e sjell të përmbledhur në momentet më kulmore në një përshkrim të bukur të pjesës me të tërën, tëfigurave të ndritura me dheun mëmë. Ky libër i njeh lexuesit e vegjël me Çamërinë, historinë e saj të lashtë, që nga Pellazgjia legjendare e mitike e deri në shekullin e kaluar. I afron dhe i njeh lexuesit me heronjtë e Çamërisë dhe të kombit shqiptar: Pirron e Epirit, Gjin Bua Shpatën, Boçarët, Xhavellat, deri te Muharrem Rushiti apo Ali Demi. Njeh lexuesit e vegjël me tempullin e Dodonës, me lumenjtë Thyamis dhe Akeron, që burojnë nga malet e Sulit.

Gjyshi personazh në libër nuk harron t’i tregojë nipit të vogël që nga Çamëria vjen një Papë, Shën Eleuteri. Vjen Shën Donati dhe babai i Rilindjes Kombëtare Hasan Tahsini. Po ashtu nga Çamëria vijnë piktori e artisti i gjithanshëm Kolë Idromeno, si dhe dijetarja e shkrimtarja rilindase me famë, botërore Dora Distria / Elena Gjika, nga Parga. Vjen i përndrituri Abedin Pashë Dino e shumë e shumë të tjerë. Po pse kanë kaq rëndësi libra të tillë për fëmijë?- shtroi pyetjen Ahmet Mehmeti, duke dhënë, edhe përgjigjen: Prej shekujsh jemi përballur me tjetërsimin e historisë, vjedhjen e saj dhe të heronjve tanë.

Mungesa e informacionit për historinë e Çamërisë në librat shkollorë, madje duke hequr edhe emrin “Çamëri”, e bën edhe më të domosdoshëm botimin e librave të tillë. Është detyrimi ynë t’u tregojmë brezave që vijnë të vërtetat historike, duke hapur një kapitull të ri të shkrimit të historisë të përshtatur për fëmijët, që ata të ndihen krenarë për përkatësinë e tyre. Poema është një enciklopedi për Çamërinë, me vlera njohëse për historinë dhe figurat e shquara të saj, që janë figura kombëtare dhe nuk i përkasin thjesht krahinës së Çamërisë. Libra të tillë duhet të futen si literaturë ndihmëse në tekstet shkollore.

Historia e Çamërisë i ka gjurmët qysh në lashtësi, por ajo duhet të përcillet brez pas brezi, pasi ka shumë përpjekje për ta zhdukur. Por ne duhet t’i dalim zot historisë, kulturës dhe traditës sonë përtë cilën, sidomos kohëve të fundit, ka një interesim të jashtzakonshëm nga gjithë bota, për origjinalitetin, veçanësinë, bukurinë, vlerat humane që mbart e përcjell.

Autori i librit, Arben Iliazi, tha: Historia e Çamërisë është legjitime, ngaqë është shumëshekullore. Ndaj na lindi ideja, së bashku me Alket Veliun, të shkruajmë këtë histori të përmbledhur të Çamërisë në vargje, mbështetur edhe në referenca të autorëve seriozë grekë apo të huaj. Libri është i ngjashëm me një testament poetik-historik e letrar, i përshtatshëm për moshat nga 6 deri në 13 vjeç, por edhe për më të rritur. Në libër zbulohet shpirti çam, i brujtur me humanizëm dhe asnjëherë me urrejtje. Mes vargjeve rrëzëllen arsyeja, drejtësia, e vërteta, të cilat u bënë viktima të padrejtësisë historike. Nuk mund të ndash arsyen nga historia.

Gjithçka hyjnore është jo vetëm e drejtë, por edhe njerëzore, ndërsa gjithçka njerëzore i përket historisë, është një thënie e Sokratit, filozof i lashtë grek. Ne nuk duhet të heshtim për historinë tonë kombëtare. Heshtja është statusi i skllavërisë mendore, që është skllavëria më e keqe nga të gjitha skllavëritë. Atentatet ndaj historisë, qytetërimit tonë të lashtë, kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare janë të shëmtuara.

Asnjë teori e së drejtës ndërkombëtare, asnjë teori e humanizmit dhe e ekzistencës njerëzore nuk mund të mohojë dot kombin shqiptar. Është e pamundur sepse ai ekziston prej shekujsh dhe ndonëse në shekuj ka pasur fatin e keq të jetë nën struktura politike dhe shtetërore të huaja dhe kozmopolite prap se prapë, ka mundur të mos shpërbëhet, të mos denatyrohet, të mos zhduket. Ky ligj i mbijetesës për të kaluarën vlen edhe për të ardhmen. Për ne cështja shqiptare duhet të jetë thelbi i gjërave. Në mendimet tona për këtë cështje ne duhet të jemi të unifikuar. Vetëm njerëzit e bashkuar e bëjnë kombin e bashkuar. E lartësojnë kombin tonë!

Alket Veliu, themeluesi i fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” në Tiranë dhe njëkohësisht president nderi i fondacionit të sapokrijuar ne Itali në përshëndetjen e tij tha: Dita e Flamurit të Kombit Shqiptar është festë që i bashkon shqiptarët anë e mbanë botës rreth idealit dhe vlerave që përbëjnë identitetin e një populli e kombi. 28 Nëntori është kremtimi i të qenit shqiptarë, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, pasi Çamëria ende është e pushtuar dhe mbajtur peng padrejtësisht, pa të zotët e saj, që Greqia i dëboi me dhunë e gjenocid.

Në vitin 1913 armiqtë tanë i copëtuan tokat tona, por ata kurrë nuk munden t’i copëtonin zemrat tona, shpirtin kryengrites e luftarak të shqiptarit. Është 28 Nëntori që e mban të ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ky flamur i mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtesisht të ndara.

Në atë copë, pëlhurë është e shkruar historia jonë, rrugëtimi ynë, nëpër shekuj si komb, aty janë të shkruara përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona për liri e pavarësi. Veprimtaria atdhetare dhe sakrificat supreme të shqiptarëve të Çamërisë, sollën një ndihmesë të vyer për Pavarësinë e Shqipërisë. Ndonëse përpjekjet e tyre në mbrojtje të trojeve shqiptare nuk u realizuan, si dhe ndodhi edhe për pjesë te tjera të tokave tona që çuan në copëtimin e Shqipërisë, lufta e tyre qe jo e vogël dhe sakrificat e gjaku i derdhur ndihmuan në këtë Shqipëri që kemi sot.

80-vjet më parë ndodhi gjenocidi i tmerrshëm grek ndaj popullsisë së krahinës së Çamërisë, me terrorin dhe vrasjet makabre, që u pasuan me shpërnguljen me dhunë të popullsisë, dhe çështja jonë mbetet ende pa gjetur dritën e zgjidhjes. 28 nëntori na kujton se tani është radha jonë, rikthimi në Çamërinë tonë, me të gjitha të drejtat që na takojnë, sipas Konventave e Normave ndërkombëtare. Por duhet të ushqejmë  shpresën se mendjet e shëndosha dhe atdhetarët e vërtetë, në  Shqipëri dhe në  Diasporë, të  ngulmojnë  në  respektimin e interesave kombëtare. Fakti se ju sot, në Ditën e Flamurit, jeni veshur Kuq e Zi do të thotë se cështja kombëtare dhe idealet e pavarësisë, nuk do të shuhen kurrë, tha në përfundim zoti Veliu.

Ekspozita 80-vjet genocid në Çamëri, ndalesën e rradhës pas Tiranës, Skënderaj, Durrësit, Vlorës dhe Fierit e pati pikërisht në këtë aktivitet  ku pjesëmarësit u njohën me episode të gjenocidit në Çamëri. Si një qershizë, mbi tortën e pavarësisë, në këtë feste të bukur e plot atmosferë, ishte shfaqja e dramës me një akt “Shpirti i Lirë ”, shkruar nga A. Iliazi dhe vënë në skenë nga Gerta Rusi, ku fëmijët e vegjël, të veshur kuq e zi, interpretuan mjaft bukur detajet e qëndisjes dhe ngritjes së flamurit, duke ngjallur mjaft emocione. Programi festiv vijoi hareshëm për disa orë, pasur me këngë e valle çame, si dhe recitime për kombin shqiptar dhe për atdheun.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit