Haxhi Baba Faik Selmani është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur Haxhi Baba Ardit Selmani me anë të një statusi në rrjetet sociale ditën e sotme.
Nderimet e fundit për përcjelljen e Haxhi Baba Faik Selmani kanë nisur ditën e sotme në Teqenë e Madhe në Elbasan dhe do të mbahen deri në orën 11 të datës 1 dhjetor.
Njoftimi i Haxhi Baba Ardit Selmanit:
Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Të dashur besimtarë bektashinj të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, nuk paska gjë më të dhimbshme se të marrësh mbi vete barrën e rëndë dhe t’u njoftoj se baba Faik Selmani ndërroj jetë në datë 29 Nëntor.
Haxhi Baba Faik Selmani, i biri Ganiut dhe i Hanos, ka lindur në fshatin Luftinjë, të qytetit Tepelenë, në 20 Gusht 1942, në një familje me traditë të hershme bektashiane. Gjyshërit dhe prindërit e tij kanë qenë mbështetës të teqeve, sidomos në Koshtan, Maricaj dhe Memaliaj.
Mësimet e para fetare i mori nga Baba Muharrem Allkushi (Gllava), në kohërat që edhe pse komunizmi i egër e ndaloj fenë me ligj, këta çiragë të Haxhi Bektash Veliut mbajtën gjallë tarikatin bektashian, ku në mënyrë të fshehtë, ndiznin qirinjtë në Tyrben e Baba Isuf Horasanit derisa Baba Muharremi ndërroi jetë.
Në vitin 1985, Baba Faiku vijon zhvillimin e traditave fetare islame fshehurazi dhe në bashkëpunim të ngushtë me Baba Sherif Canometi në Elbasan, deri në fillim të viteve 1990 të shekullit të kaluar, kur regjimi u detyra të lejonte riçeljen e besimeve fetare.
Haxhi Baba Faik Selmani ka një kontribut të spikatur në bashkëpunime me Baba Sherif Canometaj, Baba Barjam Mahmutaj, Dede Reshat Bardhin si për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ashtu edhe në ringritjen e objekteve të besimit në Gjyshatat e Gjirokastrës dhe të Elbasanit.
Pas një veprimtarie të tillë të spikatur, në vitin 1997 merr titullin “Dervish” nga Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe emërohet Gjysh në Gjyshatën Elbasan, ku shërben me devotshmëri deri në ditët e sotme.
Haxhi Baba Faik Selmani ka patur fatin të kryejë ceremoninë e Haxhit në Mekë, të vizitojë vendet e shenjta në Qerbela, Bagdad, edhe në Haxhi Bektash të Turqisë, duke u takuar dhe duke fituar simpatinë e personaliteteve të shquar fetarë të këtyre vendeve.
I ndjekur nga qindra myhybë dhe besimtarë dashamirës të tarikatit, Haxhi Baba Faik Selmani ka ndërtuar Teqe dhe Tyrbe në Koshtan, Luftinjë, Zhabokikë 1 dhe 2, Gllavë, Gramsh, Elbasan dhe me gjerë.
Baba Faik Selmani meriton nderin dhe respektin e baballarëve, myhibëve dhe besimtarëve deri në Teqen e Baba Rexhepit në Amerikë.
Nderimet e fundit për përcjelljen e tij, organizohen në Teqenë e Madhe në Elbasan, duke filluar nga ora 14:00 e ditës së sotme, deri në orën 11 të datës 1 Dhjetor 2024.
Zoti e bashkoftë Shpirtin e Tij me Shpirtrat Profetëve dhe Shenjtorëve në Xhenet! Amin!