Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, e ka quajtur shpërthimin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit një “sulm terrorist”, duke theksuar se një akt i tillë nuk ka ndodhur as gjatë luftës.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në kanalin që furnizon me ujë dhe energji elektrike një pjesë të madhe të Kosovës. Megjithatë, nuk ka pasur viktima dhe janë gjetur alternative për furnizimin me ujë.
“Jam informuar nga policia lokale se është sulmuar në një kanal, që është arterie jetike për gjithë qytetarët e Kosovës. Unë nuk e kam larg nga shtëpia. Sulmi është terrorist. I tillë sulm nuk ka ndodhur as gjatë luftës. Menjëherë ka shkuar policia në vendngjarje dhe emergjencat e organet e sigurisë. Ka pasur shpërthim paraprak. Ka pasur një dëmtim të madh në kanal. Aty ka pasur edhe bagëti. Pasoja në njerëz nuk ka pasur. Dëmet e mëdha janë në ndërprerjen me ujë të qyteteve kryesore të Kosovës. Akoma nuk është bërë një vlerësim i dëmit, por kjo pasojë mund ta lërë pa ujë gjysmën e Kosovës. Është gjetur një alternativë për furnizim me ujë, janë vendosur disa gypa dhe rregullohen ato thyerje….Ka edhe persona të arrestuar dhe janë kapur edhe arsenal armësh. Janë grupe kriminale e paramilitare, që janë të financuara nga Serbia.
Janë grupe, që mbështeten nga Serbia, vetëm që të prishin rendin kushtetues të Kosovës. Liderët e Serbisë kanë dhënë deklarata të rrejshme. Vuçiç nuk është shkëputur nga retorika e Millosheviçit. Qytetarët janë të sigurt në Kosovë, por grupet kriminale vazhdojnë që të veprojnë herë pas here. Në terren janë edhe njësitë amerikane, edhe KFOR është gjithashtu në terren. Ndërkombëtarët po ndihmojnë Policinë e Kosovës, në mbështetje për siguri dhe logjistikë. Ky është një akt kriminal i kryer i qëllimtë. Edhe qytetarët si shqiptarë, ashtu edhe serbët, mos ta dëgjojnë logjikën e shërbimeve sekrete serbe, por t’i kthehen normalitetit dhe të zbatojnë ligjet demokratike të Republikës së Kosovës. Qytetarët të bashkëpunojnë me organet e rendit për çdo shqetësim”, u shpreh Zeqiri.