Tjetër skandal në Maqedoninë e Veriut. Pas gjuhës shqiptarëve po tentohet që t’u mohohet edhe historia. Situata në Maqedoninë e Veriut është tensionuar gjatë festimeve të shqiptarëve për festat e 28 dhe 29 Nëntorit. Një grup maqedonasish dogjën flamurin shqiptar në Shkup dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe policia mbrëmjen e së premtes ka ndërhyrë për të hequr flamujt shqiptarë të vendosur atje.
Jo vetëm kaq, po rnjë incident ka ndodhur edhe në një shkollë në fshatin Çellopek të Maqedonisë së Veriut, ku nxënësit janë veshur me uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar masa kundër drejtorisë së shkollës së Çellopekut. Vesna Janevska ka deklaruar se Inspektoratit Shtetëror i Arsimit në një raport të posaçëm do të zbardhë të gjitha detajet se çfarë konkretisht ka ndodhur në manifestimin e Ditës së Flamurit në shkollën e fshatit Çellopek të Komunës së Bërvenicës.
“Jam thellësisht e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga vendimi i drejtuesve dhe mësuesve në shkollën fillore “7 Masi” në Çellopek për të organizuar, por edhe nga miratimi i prindërve të nxënësve, fëmijëve të tyre për të marrë pjesë në një aktivitet shkollor të jenë të veshur me uniforma me stema nga grupe ushtarake informale nga e kaluara, e që parakalojnë me pushkë në duar. Meqë ra fjala, prindërit e duartrokitën. Një veprim i tillë është jo vetëm pedagogjikisht me të meta, por edhe çnjerëzor, joetik, amoral dhe ligjërisht i dënueshëm.
Nuk e prisja që mësuesit, njerëz që kanë zgjedhur profesionin më fisnik, do t’i mësojnë fëmijët në Maqedoni mos respektojnë vendin e tyre, të mos respektojnë bashkëqytetarët e tyre dhe të indoktrinojnë militantizëm, dhunë, urrejtje.
Në kundërshtim me të gjitha parimet themelore të pedagogjisë. Në vend që të luftojmë për unitet, për ndërtimin e një mjedisi shkollor paqësor dhe harmonik, i cili meqë ra fjala duhet të jetë baza për ndërtimin e një shoqërie paqësore dhe harmonike dhe të një shteti të përbashkët të fortë, në shekullin e 21-të shohim se mendimet dhe idealet e dikujt janë ngujuar në një shekull të kaluar.
Kjo është një shkollë që nga ministrat e mëparshëm madje është shpërblyer me grante për organizimin e aktiviteteve për zhvillimin dhe promovimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës. Po, është tronditëse, por është e vërtetë!
Njoftoj se do të nisim procedurën përkatëse ndaj shkollës. Gjithashtu, marr informacione se aktivitete të ngjashme janë zhvilluar edhe në dy shkolla të tjera. Aty do të veprojnë edhe inspektorët, e siguroj opinionin maqedonas.
U bëj thirrje të gjitha shkollave të tjera që të distancohen nga aktivitete të tilla, të promovojnë vlera të vërteta njerëzore dhe të angazhohen për ndërtimin e brezave të pajisur me dije, jo me armë.
Brezat që do ta duan vendin në të cilin kanë lindur dhe janë rritur dhe do të respektojnë të tjerët pa dallim etnik, fetar apo çfarëdo dallimi tjetër. Ky është qëllimi i vërtetë për të cilin hapen dhe ekzistojnë shkollat”-thuhet në reagimin e ministres së Arsimit të Maqedonisë së Veriut.
BDI ka reaguar pas deklaratës së Janevskës duke theksuar se UÇK është gjithçka për shqiptarët, jo asgjë sikur thotë ministrja!
“Deklaratat e Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, janë fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një tentativë për të shuar kujtesën dhe sakrificat historike të popullit shqiptar. Të thuash se UÇK “nuk përfaqëson asgjë për këtë shtet” është një akt i papranueshëm, që tregon mungesë respekti ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës dhe një përpjekje për të fshirë kontributin e shqiptarëve në këtë vend.
UÇK nuk është “asgjë” për shqiptarët – ajo përfaqëson sakrificën për barazi, drejtësi dhe dinjitet. UÇK për shqiptarët është simbol i përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar të jetë i barabartë. Çdo përpjekje për të mohuar këtë të vërtetë historike është një akt diskriminimi që thellon ndarjet ndëretnike dhe dëmton ndjeshëm harmoninë shoqërore.
Kjo qasje selektive dhe hipokrite është e papranueshme. Të nderosh Komitët, ndërsa përbuz UÇK-në, është dëshmi e standardeve të dyfishta dhe mungesës së sinqeritetit nga kjo qeveri.
Si mund të ndërtojmë një shoqëri të përbashkët, kur një Ministre e Arsimit, në vend që të promovojë vlera të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, flet me një gjuhë përjashtuese dhe fyese për një pjesë të qytetarëve të këtij vendi? A është kjo mënyra si kjo qeveri synon të promovojë bashkëjetesën dhe të ndërtojë një të ardhme për të gjithë?
Bashkimi Demokratik për Integrim dënon fuqishëm këtë qasje dhe kërkon që Ministrja të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe të kërkojë falje publike. Ne gjithashtu kërkojmë që kjo qeveri të reflektojë dhe të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta që thellojnë ndarjet dhe rrisin tensionet ndëretnike.
UÇK për shqiptarët është historia, sakrifica dhe krenaria jonë. Kushdo që e nënvlerëson këtë simbol të rëndësishëm duhet të kuptojë se nuk mund të ndërtojë një të ardhme të përbashkët duke fyer dhe përjashtuar një popull të tërë. Shqiptarët kanë dhënë gjithmonë kontribut për këtë shtet dhe nuk do të lejojnë kurrë që historia e tyre të reduktohet në “asgjë”. Me shumë gjasa, kjo deklaratë është koordinuar me marionetat tuaja të koalicionit, Vredi”, thuhet në reagimin e BDI-së.