Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hedhur poshtë pretendimet që lidhin Alfred Dedjan, viktimën e vrasjes së ndodhur në Ndroq, me ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës. Në një deklaratë zyrtare, SPAK ka sqaruar se Dedja nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, e cila ka ndodhur në vitin 2020 dhe është në hetim nga organi i akuzës.
Sipas SPAK, emri i Alfred Dedjas nuk figuron në asnjë dokument apo hetim që lidhet me pengmarrjen, ekzekutimin, dhe fshehjen e trupit të Jan Prengës, dhe ai nuk ka qenë dëshmitar në këtë çështje. Po ashtu, ai nuk ka pasur asnjë lidhje me kompleksin “Golden” në Shijak, i cili ishte vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Ky sqarim i SPAK vjen pas aludimeve që janë bërë lidhur me mundësinë që Dedja të kishte qenë i përfshirë në ngjarjen e 2020-s, ku viktima Jan Prenga u rrëmbye dhe u zhduk, dhe pas ekzekutimit të tij, u fsheh trupi.
Autori i dyshuar i vrasjes së Dedjas është Julian Gjoshi, i cili ka vetëdorëzuar pas 24 orësh në polici. Gjoshi, që është kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden”, është lidhur me ngjarjen e Jan Prengës dhe ndodhet nën hetim për pjesëmarrje në grupin kriminal që organizoi pengmarrjen e Prengës.