Kreu i PAA-së, Agron Duka, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e papritur të Arben Tafajt, duke e cilësuar atë si një njeri të mrekullueshëm dhe koleg të përkushtuar.
Në një postim në rrjetet sociale, Duka theksoi se kjo është një humbje e madhe për Partinë Agrare Ambientaliste, ku Tafaj shërbeu si nënkryetar. Ai shprehu dhimbjen e thellë për familjen Tafaj dhe u lut për forcë dhe qëndresë për ta përballuar këtë tragjedi.
Agron Duka: Miku, kolegu dhe njeriu i mrekullueshëm Arben Tafaj na la papritur, duke na tronditur thellë të gjithëve. Për ne, kolegët e Partisë Agrare Ambientaliste, ku Beni ka shërbyer me përkushtim si nënkryetar, kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme.
Por mbi të gjitha, kjo është një ditë e rëndë dhe e dhimbshme për familjen Tafaj. Në këtë moment të vështirë, ne i bashkohemi dhimbjes së tyre dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.