Ish-kryeministri Sali Berisha e ka nisur fjalën e tij në Kuvend, duke folur për Sami Repishtin, që u nda nga jeta disa ditë më parë.
“Këto ditë më parë është ndarë nga jeta një kollos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti. Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptar në diasporën dhe emigracionin tonë. Fjala dhe penda e tij nuk reshti kurrë së mbrojturi çështjet kombëtare dhe interesit kombëtar.
Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit të vërtetë shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës. Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë. Për të gjitha këto unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje” tha ai.