Jeton Halimi, drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime Europiane dhe Globale në Prishtinë në një intervistë për “5Pyetjet.al” shprehet se në Kumanovë është hazër nisja e konfliktit. Fajëson Albin Kurtin që sipas tij i përçau shqiptarët me ndërhyrjen në zgjedhje.
“Djegia e veturave dhe flamujve nuk i bën mirë askujt, maqedonas apo shqiptar, unë shpresoj që këtë argat e ka bërë Albin Kurti që i ka përçarë shqiptarët atje. Dihet se cfarë përfaqëson Kumanova, është vendi i trimave, gjithmonë ka filluar si në Kosovë nga Drenica dhe në Maqedoni nga Kumanova dhe thuajse se kanë më shumë qasje dhe ndenja më shumë kosovare se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Unë mendoj se nuk duhet konflikt sepse ka përfunduar koha e luftës, por nëse nuk këndellet Miskovcki dhe vasalët e tij dhe nuk ndalen me kërkesat e tyre patjetër vjen çështje e padëshirueshme për cdo kënd. Politika të tilla të dëmshme ndaj shqiptarëve zhvillohen në Ballkan dhe shpresoj që një ditë shqiptarët të bëhen bashkë dhe të mos bëhen argatë të Serbisë, Rusisë dhe askujt tjetër” tha ai.
Ndeshjet në Maqedoninë e Veriut u vendosën që të luhen pa tifozë për shkak të frikës së trazirave. “Faktikisht konfliktet dhe dhuna mund të vijnë nga stadiumet, dihet strukturat e sigurisë fillojnë angazhojnë njerëz brenda këtyre grupeve. Mund të nxisë konfliktet dhe mund të ketë përshkallëzim sa më të madh. Por krejt varet nga gjykata Kushtetuese për vendimin për gjuhën”.
Jeton Halimi akuzon “VLEN”-in, koalicionin e shqiptarëve në qeverinë e Maqedonisë së Veriut që tha se BDI do destabilitet. “E ka gabim “VLEN”, “BDI” është në opozitë dhe Ali Ahmeti i ka lënë ligjin dhe i ka bërë të gjitha ato të mira aty, të gjitha të drejtat i kanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. VLEN të mos viktimizohet si Albin Kurti që do që ta bëjë “copy paste” në Maqedoni. VLEN nuk ka kurrëfarë vlere dhe nuk i përfaqëson shqiptarët atje”.
Më tej, Halimi beson se nuk do të ketë ndarje të Maqedonisë së Veriut. “Ndarje nuk besoj se nuk e lënë amerikanët dhe europianët pasi hapet “Kutia e Pandorës”, por duhet të ketë organizim më të mirë me një qeveri tjetër, Izeti, Bilalli dhe të tjerë duhet të ikin pasi nuk i përfaqësojnë shqiptarët” tha ai.