Në Maqedoninë e Veriut po vijon debati për Gjuhën Shqipe dhe në lidhje me këtë ka reaguar edhe zv.kryeministri i RMV Izet Mexhiti.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Mexhiti bëri thirrje për qetësi dhe gjakftohtësi. Ai shprehet se qeverai ka punuar dhe Qeveria ka punuar dhe po punon për të tejkaluar sfidat dhe për ulje të tensioneve.
Mexhiti thekson se për çështjen e gjuhës shqipe janë të njëjtën anë me të gjithë shqiptarët dhe të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen dhe as të abrogohen.
“Si Qeveri po punojmë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për problemet e krijuara e të trashëguara dhe për këtë po harmonizojmë veprimet, qëndrimet dhe orientimet me të gjithë aktorët dhe faktorët relevantë shoqërorë.
Qeveria është në veprim dhe koordinim të përhershëm. Bashkë me Parlamentin dhe aktorët tjerë shoqërorë jemi duke ndjekur me vëmendje çdo veprim, çdo qëndrim publik, çdo aksion e reaksion. Si institucione të përgjegjshme nuk do të lejojmë abrogimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe as rrënimin e frymës së bashkëjetesës që e garanton Marrëveshja e Ohrit.
I përkrahim të gjitha iniciativat publike, individuale ose kolektive të cilat për qëllim kryesor kanë ruajtjen por edhe avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Betejat e përditshme politike dhe interesat e partive politike janë më pak të rëndësishme se gjuha shqipe. Ju bëj thirrje edhe njëherë të gjithëve që të ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë”, ka shkruar ai.