Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Fee”, në kuadër të hetimeve për prostitucionin dhe shfrytëzimin e tij. Gjatë operacionit, janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, përfshirë shtetas të huaj nga Kolumbia, Spanja, Venezuela dhe Peru, të cilët akuzohen për ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni në ambiente të marra me qira.
Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Gjatë kontrollit të ambienteve të ndryshme të Elbasanit, janë gjetur dhe sekuestruar 43,000 lekë, 2,780 euro dhe 9 celularë, që dyshohet se janë përfituar nga aktivitetet e paligjshme. Po ashtu, janë shpallur në kërkim dy shtetas nga Peru, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.
Veprimet hetimore po vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.