Kryengritësit sirianë kanë mbërritur në periferi të Damaskut në kuadrin e një ofensive që po përparon me shpejtësi, gjatë së cilës ata kanë marrë nën kontroll disa nga qytetet më të mëdha të Sirisë, thanë ditën e sotme aktivistët e opozitës dhe një komandant rebel.
Rami Abdurrahman, i cili kryeson Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, një grup që monitoron luftën e opozitës, tha se kryengritësit janë tani aktivë në Maadamiyah, Jaramana dhe Daraya, në periferi të Damaskut.
Ai shtoi se luftëtarët e opozitës po marshonin të shtunën edhe nga Siria lindore drejt Harastës, në periferi të Damaskut. Një komandant i kryengritësve, Hassan Abdul-Ghani, postoi në aplikacionin e mesazheve Telegram se forcat opozitare kanë filluar të kryejnë “fazën e fundit” të ofensivës së tyre duke rrethuar Damaskun. Ai shtoi se kryengritësit ishin nisur nga Siria jugore drejt Damaskut.
Ushtria siriane u tërhoq nga pjesa më e madhe e Sirisë jugore të shtunën, duke lënë më shumë zona të vendit, përfshirë dy qendra rajonale nën kontrollin e luftëtarëve të opozitës, tha ushtria dhe Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Largimi i trupave nga provincat Daraa dhe Sweida erdhi pasi ushtria e Sirisë dërgoi një numër të madh përforcimesh për të mbrojtur qytetin qendror kyç të Homsit, i treti më i madh i Sirisë, ndërsa kryengritësit i afroheshin periferisë së tij.