Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku me anë të një postimi në rrjetin social në facebook shprehet se para 34 vitesh më 8 dhjetor 1990 të rinjtë ndyrshuan sistemin me forcë, energji dhe potencialin e tyre.
Tabaku thekson se Partia Demokratike u ndërtua mbi mbështetjen e rinisë dhe shihet ende si një motor i ndryshimit të vendit.
“Fakti që sot rinia është duke u larguar, duhet të na nxisë të ndryshojmë situatën jo vetëm për brezin aktual, por edhe për brezat që vijnë. Është detyra jonë të krijojmë kushte që të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë këtu. Shqipëria ka një rini të jashtëzakonshme, një thesar të paçmuar që mund të bëjë ndryshime të mëdha.
Të rinjtë tanë ia dalin kudo, por qëllimi është që ata të shkëlqejnë këtu, në vendin tonë. Ne duhet t’u japim hapësirë në vendimmarrje, në sipërmarrje dhe në çdo fushë tjetër, duke i trajtuar si partnerë të vërtetë dhe jo si dekor politik. Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e vendit.
Në politikë, në ekonomi, në arsim dhe administratë publike, përfshirja e rinisë do të sillte ndryshime rrënjësore. Ne duhet të krijojmë politika që i mbështesin të rinjtë, qoftë përmes fondeve për startup-e, përfshirjes në këshilla lokale e kombëtare, apo mbështetjes së ideve të tyre.
Unë kam një thirrje për të gjithë të rinjtë shqiptarë: bëni diferencën! Ashtu siç keni ndryshuar sistemin 34 vite më parë, mund ta ndryshoni edhe situatën aktuale.”, shprehet Tabaku.