Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me rritjen alarmante të emigracionit nga Shqipëria, duke e lidhur këtë fenomen me krizën e thellë të vendit dhe korrupsionin e përhapur.
Ajo tha se të varfrit nuk kanë më as pronat e tyre, ndërsa pasuritë përfitojnë gjithçka, duke theksuar se buxheti i shtetit është shndërruar në një “arkë private” për një elitë të vogël.
Postimi i plotë
Kriza e vërtetë, që duket qartë në numrin alarmant të shqiptarëve që zgjedhin emigracionin, buron pikërisht nga korrupsioni i thellë që ka pllakosur çdo cep të vendit tonë.
“Korrupsioni është kudo, në çdo institucion. Ti nuk mund të marrësh as shërbimin më të thjeshtë pa një ryshfet.”
Ky është realiteti i përditshëm i mijëra qytetarëve, të cilët përballen me një ekonomi të rrënuar. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 55%, pagat janë më të ulëtat në rajon dhe çdo mundësi zhvillimi mbytet nga korrupsioni.
“Kadastra është kthyer në një makth. Të varfrit nuk kanë më as pronat e tyre, ndërsa të pasurit përfitojnë gjithçka.” Ky është një tjetër shembull i qartë se si buxheti i shtetit është kthyer në një arkë private për një elitë të vogël, ndërsa shumica e shqiptarëve varfërohet çdo ditë. Sa më shumë thellohet varfëria, aq më shumë taksa paguajnë qytetarët, duke u bërë burim i pashtershëm për sistemin korruptiv.
“Paratë tona shkojnë për ata lart, ndërsa ne paguajmë taksa gjithnjë e më të larta dhe marrim gjithnjë e më pak.” Për 11 vite me radhë, socialistët kanë shkatërruar çdo të ardhur të ndershme, duke bërë rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve. Ndërkohë, shërbimet publike degradojnë dhe qytetarët mbeten pa mbështetje.
Të luftosh korrupsionin do të thotë të ndërtosh një ekonomi të drejtë, me më shumë mundësi për biznesin, kosto më të ulëta dhe më shumë ndershmëri. Por sot, Shqipëria është e kapur nga një elitë që sundon shumicën për interesat e një pakice të korruptuar. Parlamenti është kthyer në noter të interesave të kësaj pakice, ndërsa ligjet e “qepura me porosi” nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
Koha për ndryshim ka ardhur. Paratë e shqiptarëve nuk duhet të shkojnë për një pakicë të privilegjuar, por për mirëqenien e të gjithëve. Ne nuk mund të pranojmë më një sistem që ushqehet nga korrupsioni. Shqiptarët meritojnë një vizion të ri dhe një angazhim për ndershmëri dhe llogaridhënie.