Izraeli ka depërtuar më thellë në territorin sirian, duke kapur territore shtesë përgjatë lartësive tashmë të pushtuara të Golanit. Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehu shqetësim të thellë “për qindra sulme ajrore izraelite” në Siri, duke thënë se kishte “një nevojë urgjente për të de-përshkallëzuar dhunën në të gjitha frontet në të gjithë vendin”, tha zëdhënësi i tij.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka mbrojtur sulmet e përhapura të Izraelit në Siri, duke thënë se forcat izraelite po përpiqen të “neutralizojnë” kërcënimet e mundshme.
“Kriza e trefishtë” në Siri
Carl Skow, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP), paralajmëroi se Siria po përballej me pasojat e një lufte civile 13-vjeçare, rritjen e të ardhurve nga lufta Izrael-Hezbollah në Libanin fqinj dhe rrëzimin e papritur të liderit shumëvjeçar al Asad.
“Kjo është një krizë e trefishtë dhe nevojat do të jenë të mëdha” tha ai për Associated Press.
Rreth 1.1 milionë njerëz janë zhvendosur në të gjithë Sirinë që kur luftimet mes forcave të regjimit të rrëzuar të al-Asad dhe grupeve opozitare filluan të përshkallëzohen më 27 nëntor, tha OKB.
Shumica e të zhvendosurve rishtazi janë gra dhe fëmijë, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në raportin e saj të fundit mbi situatën në Siri.
Sipas OCHA, rreth 640,000 njerëz u larguan nga provinca në Aleppo, 334,000 u larguan nga Idlib dhe 136,000 u larguan nga Hama.
Ndërkohë, 438,000 njerëz të zhvendosur mbërritën në Idlib nga zona të tjera, 170,000 në Hama dhe 123,000 në Damask rural.
Më shumë se 400,000 njerëz po qëndrojnë tani në 240 strehimore kolektive në rajonet verilindore të vendit, ku marrin ndihma humanitare si ushqime, pajisje higjienike dhe mbështetje psikologjike.
Gati 700,000 njerëz në Aleppo, Idlib, Homs dhe Hama kanë marrë ndihma ushqimore që kur dhuna filloi të përshkallëzohej, shtoi OCHA.
Çfarë ka bërë Izraeli në Siri që nga rënia e Bashar al-Asad?
Me të gjithë sytë nga ngjarjet e trazuara që po formohen në Siri pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad, Izraeli kapi vrullin për të bërë fitime territoriale në Sirinë perëndimore, ndërsa shkatërroi shumicën e aftësive ushtarake të Sirisë në një fushatë bombardime intensive.
Gjatë javës së kaluar, forcat izraelite kanë goditur rreth 500 objektiva në të gjithë Sirinë, duke përfshirë kryeqytetin Damaskun, duke goditur depot e municioneve, instalimet e mbrojtjes ajrore dhe bazat detare.
Autoritetet izraelite i kanë justifikuar sulmet për arsye sigurie, duke thënë se duan të shmangin rënien e armëve në duart e “ekstremistëve”.
Izraeli gjithashtu ka depërtuar më thellë në territorin sirian, duke kapur territore shtesë përgjatë Lartësive tashmë të pushtuara të Golanit, sipas Al Jazeera.
Trupat izraelite janë zhvendosur në një zonë të çmilitarizuar zyrtarisht me Sirinë që ishte pjesë e marrëveshjes së shkëputjes të ndërmjetësuar nga OKB-ja e vitit 1974. OKB e dënoi masën, duke thënë se ishte një shkelje e marrëveshjes.
Autoritetet izraelite thonë se masa është e përkohshme, por nuk kanë dhënë një afat kohor për tërheqjen e tyre, duke ngritur shqetësime se Izraeli do të kërkojë të pushtojë ose aneksojë përgjithmonë zonën.
Lartësitë e Golanit në Siri u pushtuan nga Izraeli në luftën e vitit 1967 dhe u aneksuan plotësisht në vitin 1981 – një lëvizje që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.