Efektet e këtij ligji për aplikimet për statusin e “investitorit strategjik’ përfundonin këtë dhjetor, pas shtyrjes së shumëdebatuar që iu bë në mars të këtij viti me propozim të deputetit Eduart Shalsi. Kjo është e disata herë që PS shtyn efektet e ligjit, ndërsa në relacion nuk argumentohet arsyeja e shtyrjes së re.
Bazuar në këtë ligj kontravers, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndjekur praktikën e dhënies së pronave publike me vlerën simbolike 1 euro ose në këmbim të çmimeve shumë herë më të ulëta sesa ato të tregut për biznesmenët që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.
Përveç ndryshimit të nenit 10 për afatin e aplikimeve, Resulaj propozon një sërë ndryshimesh të tjera në këtë ligj që lidhen me mënyrën si do të funksionojë Komiteti i Investimeve Strategjike, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ka në përbërje disa ministra.
Një nga propozimet lidhet me dhënien e atributit këtij komiteti për të vendosur për dhënien në përdorim për investitorët strategjikë të brigjeve të deteve, lumenjve dhe liqeneve për stacione plazhi. Deri tani kjo ishte një e drejtë eskluzive e Këshillit të Ministrave.
Resulaj propozon dhe afate që lidhen me përfitimet që do të vijnë nga përdorimi i këtyre pronave publike që nisin sipas propozimit pas lidhjes së kontratave me autoritetin publik dhe pas ndërtimit të strukturës akomoduese.
Sipas parashikimeve të projektligjit, efektet e ndryshimeve të reja nëse miratohen do të shtrihen edhe mbi investimet strategjike në proces.
Nismëtarja Resulaj i tha BIRN-it se nxitja për të propozuar këtë shtyrje të re afati lidhej me ‘interesin e shtuar’ për këto investime dhe ritmin e ngadaltë të shqyrtimit të dosjeve të aplikuesve. “Ka rreth 40 aplikime në proces,” tha Resulaj për BIRN.
Ligji i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.
Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.
Edhe pse qëllimi i deklaruar ishte thithja e investimeve të huaja deri më tani ky ligj ka ‘shpërblyer’ shumë biznesmenë shqiptarë apo persona të afërt me qeverinë apo Partinë Socialiste në pushtet.
Rasti më flagrant është ai i dhënies së statusit “investitor strategjik’ për biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka dhe miratimin nga qeveria të dhënies në përdorim të brigjeve të detit për kompaninë e tij, duke ngritur shqetësime për një konflikt interesi dhe favorizim të njerëzve në pushtet./ BIRN