Konferenca e Institutit Shqiptar të Shkencës mbi buxhetet në vite zgjedhore
Në Tiranë Instituti Shqiptar i Shkencës publikoi sot gjetjet e një studimi krahasues mbi buxhetin e shtetit dhe financat publike në vitet zgjedhore, ku dalin në pah rritje fondesh, punësimesh, dhe shpërblimesh pak muaj para zgjedhjeve. Ekspertët kërkuan shtimin e masave kufizuese në përdorimin e buxhetit për ndikim elektoral në dobi të shumicës, me mjete si aktet normative, shpërblimet vjetore dhe fondet e rindërtimit.
Studimi krahasimor mes viteve zgjedhore dhe jozgjedhore i qendrës studimore Open Data Albania vëren se buxheti i shtetit duket që ka synuar të ndikojë votuesit dhe të nxjerrë përfitime elektorale për shumicën në pushtet.
Drejtuesja e Institutit Shqiptar të Shkencës Aranita Brahaj thotë se kjo del e qartë kur krahasohen periudhat elektorale dhe ato joelektorale sa u takon programit shumëvjeçar të rindërtimit pas tërmetit të 2019, pagesat individuale për grante rindërtimi, rritjes së punësimeve në administratë, si dhe shpërblimet e bonuset për pensionistët.
“Flasim për 3.7 miliardë lekë, të cilat për herë të parë do të jepen në pranverë. Bonuse për pensionistët ka patur në kohë të ndryshme, e zakonisht janë ndarë në fundin e vitit. Këtë vit kemi dy shpërblime: një në fund të këtij viti dhe një tjetër bonus në pranverë të vitit 2025, që është edhe pranverë elektorale”, tha zonja Brahaj.
Krahas disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, studiuesit kërkuan ndalime ligjore në miratimin e akteve që shkojnë paralel me prokurimet publik.
Eksperti ligjor pranë Institutit të Shkencës dhe autor i studimit Viktor Gumi, thotë se akti normativ për rindërtimin mbetet në fuqi dhe zbatohet prej shumë vitesh.
“Pavarësisht se kanë kaluar mbi 5 vite nga fatkeqësia natyrore e tërmetit, ky akt qëndron në fuqi dhe është një mekanizëm që furnizohet, vlerësoj në këndvështrimin e një strategjie politike, për efekt politik, për efekt elektoral. Pyetja më logjike që qëndron në këtë pikë është: Pse duhet të kemi rregulla të posaçme ad hoc në një periudhë aq të gjatë kohore kur ligji për prokurimin publik ka procedura shumë të mirëpërcaktuara për këtë drejtim dhe që është vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare si një ligj shumë i mirë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian”, tha në tubim zoti Gumi.
Studiuesit theksuan që Kuvendi nevojitet të heqë dorë nga ndryshimi i buxhetit të shtetit me Akte Normative, të cilat aplikohen edhe gjatë vitit apo periudhës zgjedhore, ndërsa në ligjin për sistemin buxhetor duhet të shtohen mekanizma parandalues të abuzimit të mundshëm në rastin e viteve zgjedhore ose pak përpara datës së zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore.
Ekspertja e ekonomisë dhe auditimit publik, Lindita Lati, theksoi pasojat që sjellin mbi ekonominë gjatë viteve zgjedhore shpenzimet e larta jofitimprurëse, politizimi i buxhetit, evazioni fiskal dhe ulja e të ardhurave, transparenca dhe llogaridhënia e ulët, si dhe rritja e deficitit buxhetor.
“Loja që bëhet me deficitin buxhetor është një lojë aspak e këndshme nga pikëpamja jonë si auditues. Viti 2017 na tregoi që qeveria pikërisht për të deklaruar se e kishte deficitin buxhetor nën 2 për qind të GDP-së, çka është një detyrim ligjor, ne pamë që ishin kryer manipulime të teknikës së metologjisë së vlerësimit të deficitit buxhetor. Pa përmendur këtu deficitin e fshehur buxhetor, që vjen prej pagesave të prapambetura”, tha zonja Lati.
Në Kodin Zgjedhor thuhet se katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore a nënligjore për të dhënë përfitime për kategori të caktuara të popullsisë si rritje pagash, pensionesh, mbështetje ekonomike e sociale, ulje ose heqje taksash, amnisti fiskale, privatizime apo dhënie pasurish apo shpërblimesh, përveçse në gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Ekspertët pohuan se ky nen ka nevojë të detajohet për të shtuar kufizimet, ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se për përmirësimin e këtij neni dhe për shumë të tjerë, nevojitet vullneti politik i partive në Kuvend.
“Për të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe për të gjithë problemet në diskutim mendoj që ne do të duhet ta modernizojmë dhe ta bëjmë më të vërtetë gjithë kuadrin rregullator të zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kemi në fuqi një kod të vitit 2008, i cili është arnuar vazhdimisht. Kemi nevojë për një kod të ri zgjedhor, dhe kjo punë duhet të nisë menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme me vullentin e partive politike”, tha zoti Celibashi.
Studimi vëren se Kushtetuta nuk përcakton rregulla mbi buxhetin e shtetit në vite zgjedhore, ndërsa ligji përkatës saktëson që deficiti buxhetor të ekzekutohet pothuajse njëtrajtësisht në katër tremujorët e vitit me zgjedhje të përgjithshme, ndërsa studiuesit vlerësuan se masat ligjore ekzistuese janë të pamjaftueshme për të shmangur përdorimin elektoral të buxhetit të shtetit./VOA