Nga 1 janari i vitit 2025, pensionistët e Tiranës do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit. Nga kjo nismë përfitojnë 177 mijë pensionistë.
Për regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës për Abone Pensionisti, qytetarët duhet të paraqiten pranë njësive administrative respektive ku banojnë, duke filluar nga data 16.12.2024.
Bashkia e Tiranës sqaron se pajisja me bileta të pajtimit mujor (Abone Pensionisti) të përgjithshme, me të drejtë udhëtimi në linjat qyetase, do kryhet sipas procedurës më poshtë:
- a) Përfitues do të jenë të gjithë personat banues në Bashkinë e Tiranës, femrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe meshkujt të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç.
- b) Qytetarët paraqiten pranë njësive adminstrative respektive ku banojnë, me kartën e identitetit me qëllim regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës me Abone Pensionisti.
- c) Qytetarët tashmë të regjistruar në portalin e përfitimit të Abonesë së Pensionistit, duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes me kartën e identitetit dhe foto.
- d) Pajisja e qytetarëve përfitues me Abone Pensionisti, pranë pikave të shpërndarjes së aboneve të pensionistit, bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit.
- e) Gjatë udhëtimit në mjetet e shërbimit të transportit publik qytetas përfituesit duhen të kenë me vete Abonenë e Pensionistit dhe Kartën e Identitetit.
- f) Pajisja me Biletën e Pajtimit Mujor (Abone Pensionisti) bëhet në pikat e përcaktuara që do njoftohen në vijim dhe që do jenë te kioskat pranë disa prej stacioneve të autobuzit.