Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka pranuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur “kontakt të drejtpërdrejtë” me rebelët sirianë të Hayat Tahrir al-Sham (HTS), pavarësisht se ky grup është shpallur terrorist nga SHBA. Deklarata u bë pas bisedimeve të zhvilluara në Jordani për të ardhmen e Sirisë, ku Blinken theksoi rëndësinë e një tranzicioni paqësor në këtë shtet.
Blinken shtoi se këto kontakte u realizuan, pjesërisht, për të kërkuar ndihmë në gjetjen e gazetarit amerikan Austin Tice, i cili u rrëmbye në Siri në vitin 2012. Ai pranoi gjithashtu se dialogu me HTS kishte përfshirë ndarjen e parimeve mbi të ardhmen e Sirisë dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.
Gjatë bisedimeve, Blinken i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të bashkëpunonte për të siguruar respektimin e të drejtave të të gjithë sirianëve dhe për të mundësuar ndihmën humanitare për ata që janë në nevojë.