Video-t që tregojnë këngëtaren e njohur Parashqevi Simaku si e pastrehë në rrugët e Nju Jorkut kanë prekur thellë publikun dhe artisten Irini Qirjako.
“Perashqevi Simaku ka qenë një këngëtare tepër e talentuar, që me daljen e parë e përthithi publikun me bukurinë dhe vokalin e saj. Ajo ishte një talent i lindur dhe hyri menjëherë në zemrat e shqiptarëve. Parashqevi Simaku ishte një artiste e nivelit të lartë. Nuk mund të flaket një artiste. Për mendimin tim, video nuk duhet të ishte bërë publike. Ne dimë që ka shumë artistë të mëdhenj në botë që kanë përfunduar shumë keq dhe nuk i publikon kush kështu. Më shqetëson indiferenca e institucioneve kulturore”, tha Irini Qirjako për News24.
Kompozitori David Tukiçi, i cili ka zbuluar talentin e Parashqevi Simakut në vitet 1980, kërkon që shteti shqiptar të ofrojë ndihmën e nevojshme për këngëtaren, duke e cilësuar atë si një talent që mund të rikthehet në formë me mbështetje.
“Parashqivi Simaku ka qenë një talent, që e kam zbuluar në vitet 1980. Simaku ishte një vajzë që kishte talent bio. E zbulova Parashqevi Simakun si talent. Mbeti në memorien e shqiptarëve. E pashë videon tani. Traumat e jetës e plagosin njeriun. Por unë mendoj se Parashqevia mund ta marrë veten. Nëse ndihmohet nga shteti, mund ta marrë veten patjetër, për të qenë Parashqevia që ka qenë dikur”, u shpreh kompozitori.