Përmbysja e regjimit gjakatar Sirian të Assadit më 8 Dhjetor ishte ngjarje e madhe dhe e shumëpritur për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Natyrisht me pikpyetjet, hamendësimet dhe të pasiguritë e rastit.
Përmbysja në Damask ishte tërmet i fortë politik për diktatorët kudo në botë dhe për shpresën e popujve për liri dhe paqe. U vërtetua thënia profetike e Heinrich Mann se ” të gjithë diktatorët do të pësojnë Waterlonë e tyre”. Ajo dobësoi ndjeshëm pozitat e Rusisë, Iranit, Hejzbullahut dhe Hamasit në rajon. Ndërkohë që pritet të forcojë pozitat e Turqisë dhe të Perëndimit në përgjithësi, duke i dhënë impulse të reja të fuqishme politikave dhe diplomacisë perendimore, për ta shfrytëzuar këtë moment historik për një ”breakthrough” përfundimtar dhe të qëndrueshëm paqësor në atë rajon.
Ca më tepër se 8 Dhjetori pasoi Marrëveshjen e aemëpushimit të arritur më 26 Nëntor midis Izraelit dhe Hamasit. Të dyja këto ngjarje kanë ngjallur besim dhe pritshmëri të mëdha se Administrata e re e Presidentit Trump në bashkëpunim me drejtuesit e rinj më të lartë të BE-së kanë më shumë shanse për tëkrijuar një peisazh krejt të ndryshëm politik, diplomatik dhe ushtarak në atë rajon, ku të zotërojë paqja, siguria dhe begatia për të gjitha vendet, pa mure dhe armiqësi.
Kjo merr rëndësi të veçantë në kushtet dhe rrethanat e rënduara shpërthyese të krijuara mbas datës 7 Tetor 2023, i konsideruar me të drejtë si ” 11 Shtatori ” i Lindjes së Mesme; me ngjarjet e njohura tragjike, me 250 pengje dhe mijra viktima të pafajshme, ndërmjet tyre shumica gra dhe fëmijë, me pasoja serioze për shkak të rëndësisë strategjike të rajonit për paqen dhe sigurinë në gjithë botën.
Siç pohon gazetarja e njohur politike gjermane, Anja WehlerSchőeck, e cila ka punuar disa vite në Irak dhe Jordani, ” 7 tetori tronditi si kurrë më parë besimin dhe garancinë për siguri në Shtetin e Izraelit nga viti i krijimit të tij 1948”
Për pasojë, Lindja e Mesme ndodhet në një udhëkryq me plot të panjohura; krahas Izraelit, Hamasit dhe Autoritetit Palestinez, atje ndikojnë dhe diktojnë situatën shumë aktorë/faktorë madhorë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë, me përplasje të forta interesash gjeopolitike.
Perëndimi – SHBA-të dhe BE-ja dhe nga ana tjetër vendet arabe, Kina dhe Rusia me pretendime të mëdha politike dhe ushtarake.
Ndërsa, BE-ja, vite më parë shumë më aktive në atë rajon, kohët e fundit, siç e ka pohuar dhe Përfaqësuesi i saj i Lartë, Borrrell ia la SHBA-ve në dorë Lindjen e Mesme, sepse nuk i kishte ” këllqe”, sidomos pas dështimit të ”Pranverës Arabe” ku ajo u investua shumë politikisht dhe ushtarakisht.
Këtu po luan rol tejet negativ dhe më të rrezikshëm se më parë Irani. Lidhur me këtë fakt, siç e pohoi publikisht dy javë më parë Biojan Djir – Sarai, Sekretari i Përgjithshëm i FDP-së, Partia Liberale në koalicionin qeveritar të Kancelarit Scholz, ”politika gjermane me Iranin ka dështuar dhe se ” Fokusimi te marrëveshja e vitit 2016 për mosprodhimin e atomit ishte gabim i madh i BE-së dhe Gjermanisë”. Merkel, Steinmeier, Gabriel dhe liderë tëtjerë 10 vitet e fundit i bënë shumë lëshime Iranit, kundrejt premtimeve të tij për pasurimin e uraniumit vetëm për qëllime civile, që u bë thjesht ” për të hedhur lumin”!
Kësisoj, Irani siguroi fitime të majme pas lehtësimit të pavend të sanksioneve ekonomike, duke financiar lirshëm ”unazën e zjarrit” dhe ” ushtritë rezervë” siç njihen, dmth Hamasin në Gaza, Hezbullahun në Liban dhe Huthët në Jemen. Edhe kur Presidenti Trump më 2018 i tërhoqi SHBA-të nga ajo Marrëveshje dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit, Kancelarja Merkel i quajti ato ” jo të drejta ligjërisht”! Madje, ish ministri i saj i Jashtëm, Heiko Maas shpiku një mekanizëm që e ndihmoi Iranin të përballonte sanksionet dhe burimet e tij financiare të rridhnin pa pengesa.
Në Perëndim, problemi tjetër i madh është ndarja e opinionit publik në vendet Europiane, dukshëm në favor të Palestinës. Shfaqjet anti-semitiste janë trefishuar në Gjermani, por dhe në Francë, Britani dhe gjetkë. Dhe vetë Nobelistja e Paqes, Greta Thunberg, ka dalë hapur në protesta publike kundër Izraelit, duke e kthyer lëvizjen e gjerë klimatike ” E Premtja për të ardhmen” në”E premtja pa të ardhme”.
Ndërkohë, SHBA-të, mbas 7 Tetorit ajo ka bërë një rikthim të fuqishëm në Lindjen e Mesme. Pas Presidentit Biden, gjatë 12 muajve të fundit Sekretari i Shtetit Blinken ka qenë 11 herë nërajon, veç masave të tjera të shtuara ushtarake. Megjithatë, siç pohojnë ekspertë dhe politologë, roli i SHBA-ve atje është dobësuar ndjeshëm. Vitet e fundit gjatë Presidencës Biden dhe doktrinës së tij kundër ” luftave të përhershme”, Lindja e Mesme u spostua gabimisht në plan të dytë.
Ndërkohë, ndryshe nga më parë, kur SHBA-të dhe BE-ja ”mbyllnin njerin sy” ndaj akteve ekstremiste të Izraelit kur ai ”shkelte me të dyja këmbët” rezolutat e KS të OKB-së, injoronte Perëndimin dhe shtonte vendbanimet e paligjshme në Gaza, etjtanimë ato po tregohen shumë më të vëmendshme dhe reaguese ndaj Tel Avivit.
Veç të tjerash, SHBA-të dhe Presidenti Trump do të përballenakoma më shumë me shtete dhe blloqe të lëkundura kundërshtare, çka mund t’ia vështirësojnë më tepër punën. Duke filluar nga Turqia, aleat dhe aktor madhor perendimor dhe tejet i rëndësishëm në rajon, simpatizant i kahershëm i Palestinës.
Padyshim që blloku më sfidues këtu për Perëndimin mbetet BRICS dhe i ashtuquajturi ”Jugu Global” që në përgjithësi janë kundër Izraelit dhe në favor të shtetit palestinez, ndonëseformalisht e kanë dënuar sulmin terrorist të Hamasit.
Ndërkohë, Rusia dhe Kina ndonëse hiqen si asnjanjëse ”fërkojnë duart” nga gëzimi, sepse kështu shpërndajnë vëmendjen perendimore ndaj tyre në një rajon të nxehtë ku ”dihet se kur hyn, por jo se kur dhe si del.”
Këto përplasje dhe mosmarrëveshje po pasqyrohen dhe në OKB, e cila po tregon sërish paaftësinë e saj për menaxhimin e gjendjes, le më pastaj të garantojë siguri dhe paqe. Në vazhdën e pakënaqësive ndaj OKB-së, Tel Avivi kërkoi kohë më parë dorëheqjen e Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Antonio Gueterres, madje e shpalli atë dhe person ” non grata”.
Sigurisht që në këtë katraurë të rrezikshme ka përgjegjësi të madhe Izraeli me qeveritë e tij dhe Kryeministri Netanjahu, i cilika drejtuar me dorë të hekurt në 10 vitet e fundit. Brenda vendit, ai ka dëmtuar seriozisht kohezionin politik dhe social, me demarshe anti-demokratike sapo rierdhi në pushtet mbas disa palë zgjedhjesh të parakohshme, duke sulmuar pavarësinë e drejtësisë dhe gjyqësorit; duke provokuar protesta masive kundër tij.
Ndërkohë, Netanjahu ka treguar miopi të pafalshme politike, duke nënvleftësuar rrezikun nga Hamasi, me mendimin se ai nuk do ta sulmonte Izraelin. Po ashtu, ai vazhdonte zgjerimin e vendbanimeve në Rripin e Gazës dhe nuk pranonte asnjë lëshim ndaj Palestinës, duke e dobësuar atë dhe duke forcuar indirekt krahun ekstremist të Hamasit. Këtë fakt e ka pohuar në një intervistë më 31 tetor 2023 dhe ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe BE-së, Javier Solana, tejet aktiv në fillimin e ’2000 me ”diplomacinë e ecejakeve” në Lindjen e Mesme, duke pohuar se ”Netanjahu është politikani më i keq, ndaj pa ikur ai nuk do ketë paqe në atë rajon”
Lidhur me synimin e shpallur prej tij për ta çmontuar Hamasin, si kusht dhe garanci për paqe dhe siguri për Izraelin dhe gjithërajonin, shumë ekspertë të mirënjohur shprehin mendojnë se ky objektiv mund të arrihet duke ”futur në lojë” Autoritetin Palestinez. Sepse Hamasi mund të humbasë akoma më shumë forcën e tij tërheqëse, vetëm nëse Palestinës i garantohet një e ardhme e sigurt dhe në paqe me Izraelin.
Veç kësaj, sipas dhe disa ekspertëve izraelitë, qeveria dhe Netanjahu nuk e kanë ende as drejtimin e duhur dhe as një qëllimtë qartë strategjik se çfarë dhe si ta realizojnë. Kjo është konfirmuar dhe në Letrën që ish Ministri i dorëhequr i Mbrojtjes i Izraelit Yoav Gallant i dërgoi më 27 Tetor 2024 Netanjahut. Në atë letër, sipas burimeve të besueshme të bëra publike, ai e qorton Kryeministrin, duke i kërkuar fiksimin e qëllimeve detajuara për Hamasin, Libanin, Iranin, Palestinën dhe në përgjithësi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ndërkohë, siç ka pohuar filozofi i shquar izraelit, profesor nëUniversitetin e Nju Jorkut, Omry Boehm, as zgjidhja me dy shtete nuk po e bind shumicën e hebrejve.
Në këto kushte, lufta shihet gjithmonë e më shumë si rrugëdalje nga kjo gjendje, mirëpo e e keqja është se me luftë nuk mund të ketë paqe.
Nga ana tjetër, Netanjahu nuk mund të bëjë dot pa ekstremin e djathtë, ndaj dhe e mban në qeveri. Mirëpo, kjo e fundit, e vetëdijshme për këtë rol dikton vendimet e tij, sidomos lidhur me moslirimin e pengjeve, mosbashkëpunimin me Autoritetin Palestinez dhe moszgjidhjen sipas parimit të dy shteteve në paqe dhe siguri.
Në këtë ”lëmsh arapi” ka gjynahet e veta dhe Autoriteti Palestinez në Rramallah. Brenda tij, me një apathi, mungesë të theksuar vizioni dhe lëvizjesh politike dhe diplomatike; qysh më 2007 kur humbi zgjedhjet në Rripin e Gazës, mes akuzash të shumta dhe për korrupsion, duke bërë që pushtetin ta merrte e ta betononte Hamasi. Nga ana tjetër, Autoriteti Palestinez është treguar refraktar, jo bashkëpunues me aleatët e vet dhe me mungesë të dukshme vizioni dhe lidershipi.
Së fundi, në Sesionin e 79 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, Ministri i Jashtëm Jordanez, Ayman al-Safadi deklaroi se 57 vendet islamike janë gati të garantojnë sigurinë e Izraelit, por me kusht që të lejohet krijimi i shtetit të Palestinës.Mirëpo këtë pohim pak kush e beson. Kjo mbasi në vendet arabe në përgjithësi vërehet një anti-semitizëm në rritje kudo, në shkolla, institucione, te kultet fetare, në një kohë kur politika atje shoqëria civile dhe aktorë të tjerë nuk bën asgjë kundër anti-semitizmit. Natyrisht që dhe veprimet e Izraelit me qëndrimet e tij të padrejta, përfshirë nxjerrjen jashtë ligjit të UNRWA, organizata e shpërndarjes së ndihmave humanitare nuk ndihmojnë në zbutjen e tij.
Në këto kushte, ndonëse demarshet diplomatike dhe nismat për paqe nuk kanë munguar, ato kanë rezultuar pa efekt për shkak të besueshmërisë dhe fuqisë së dobët konkluduese të propozuesve të tyre. Nisur nga sa sipër, mund të imagjinohet se sa i vështirë është qoftë dhe frenimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, le më pastaj gjetja dhe zbatimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme, e cila do të kënaqte të gjitha palët e lartpërmendura. Gjithsesi, edhe pse për këtë do të duhen vite, për të mos thënë dekada me demarshe diplomatike, thelbi i kësaj zgjidhjeje mbetet pranimi dhe realizimi i politikës ” së dy shteteve” bashkë me krijimin e masave të besimit dhe sigurimit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, shmangien e dhunës dhe vendosjen e Rripit të Gazës, krahas bregut Perendimor nën administrimin e shtetit të ardhshëm të Palestinës. Respektimi nga të dyja palët i armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit dhe tërheqja e trupave të tyre nga Libani i Jugut është hap shpresëdhënës. Po aq, madhe akoma më i rëndësishëm do të jetë dhe bashkëorganizimi i Konferencës Ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete nga Franca dhe Arabia Saudite në Paris muajin Qershor 2025.
Siç u përmend qysh në fillim të shkrimit, shembja e rregjimit mizor të Assadit ka krijuar kushte dhe lehtësi të reja dhe të mëdha të brendshme dhe gjeopolitike në këtë rajon dhe më gjerë.