Gjykata e Fierit la sot në burg 17-vjeçarin që qëlloi me thikë pak ditë më parë bashkëmoshatarin e tij në gjimnazin e Cakranit. I arrestuari nuk pranoi që të fliste për sherrin. “Nuk jam në gjendje të flas, jam në ankth” tha ai. I plagosuri që ndodhet në spital tha se konflikti nisi nga rrjetet sociale.
“Gjithçka nisi duke më bërë foto ai mua, familjes sime dhe shokëve të mi, gjithashtu dhe familjeve të atyre dhe që i kishte postuar në një rrjet social dhe i hidhte fotot në telefonat e shokëve të tij. Ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot.
Dhjetë minuta para se të futeshim në mësim, ai ishte te korridori i klasës, ne vemi lart dhe e kapim për pjesën e fotove dhe i themi e sqarojmë si muhabet, nëse ke foto të familjarëve të mi dhe shokëve të mi mund ti fshish dhe e mbyllim këtë muhabet këtu. Ai tha jo, telefoni është personal dhe pastaj u agravua nga pyetjet e shumta që po i bënim unë dhe disa shokë. Më pas ai reagoi duke nxjerrë biçakun.
Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Thjesht u shmanga, u futa brenda në klasë, mbylla derën. Fatkeqësisht nuk e mbaja dot derën nga ana e shpatullës dhe hapi derën. E hapi sërish me thikë në dorë. Në ato momente vjen presorja dhe më shpëtoi nga ai djali”, tregoi 17-vjeçari i plagosur.