Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas miratimit të Aktit Normativ që i rikthen profesionistëve të lirë paratë e taksës së shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Tabaku e ka cilësuar këtë akt si një “hap të vonuar”, që erdhi pas dy vitesh luftë të Partisë Demokratike dhe presionit të qytetarëve, përfshirë profesionistët e lirë, për t’u kthyer në ligjshmëri.
Fjala e Tabakut në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave:
Disa javë më parë kam bërë një propozim ligjor për të rregulluar situatën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë Profesionistëve të Lirë, ndërsa Ministria e Financave këmbëngulte në një interpretim absurd dhe të pakuptimtë. Në vend që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave zgjodhi ta sorollasë atë përmes shkresave dhe kërkesave për interpretime juridike të cilat janë bazike për çdo jurist, me qëllim zhvlerësimin e arritjes së Partisë Demokratike dhe justifikimin e të ardhurave të marra padrejtësisht nga Profesionistët e Lirë.
Tani që keni kuptuar rrezikun e kësaj sjelljeje, më në fund keni miratuar një Akt Normativ, i cili është për t’u vlerësuar, edhe pse vjen me vonesë dhe pas një sorollatjeje hileqare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte shumë i qartë, pa asnjë boshllëk ligjor dhe pa asnjë vështirësi në interpretim. Ky Akt Normativ është mbase e vetmja punë e mirë që keni bërë, por vetëm për shkak të detyrimit nga vendimi i qartë i Gjykatës dhe presionit të fitores së qartë të Partisë Demokratike dhe Profesionistëve të Lirë.
Jam e bindur se Ministria e Financave mund të kishte shmangur këtë situatë të paprecedent. Madje, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Drejtoria e Tatimeve vazhdoi të dërgonte njoftime ndaj Profesionistëve të Lirë. Edhe kur Gjykata po shqyrtonte çështjen, ju vazhduat të mblidhnit një taksë të padrejtë, dhe nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, sot nuk do të ishte e nevojshme një akt normativ për të rregulluar gabimin trefish të qeverisë: fillimisht kur vendosi taksën, më pas kur iu mor nga duart në gjykim, dhe së fundmi kur sorollati vendimin.
Gjithsesi, jam e kënaqur që sot shoh si Ministria e Financave rikthehet në binarët e ligjshmërisë. Jam po ashtu e kënaqur me punën e Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, që ka luftuar për dy vite një betejë për një taksim të drejtë, duke kundërshtuar retorikën populiste që promovon padrejtësinë në taksim, siç ishte rasti i taksimit të Profesionistëve të Lirë. Jam plotësisht dakord me mendimin e kolegëve që ky Akt Normativ duhet të përfshijë gjithashtu anulimin e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të vendosura në mënyrë të padrejtë.
Dua të theksoj një debat që ka ekzistuar që në momentin kur ligji u dërgua në Gjykatën Kushtetuese: argumenti se taksimin e vendos qeveria dhe jo një gjykatë. Kjo është e vërtetë, taksimin e vendos qeveria, si çdo ligj. Por asnjë ligj nuk mund të jetë një barrë antikushtetuese për qytetarët. Pabarazia dhe pandershmëria nuk mund të shpëtojnë pa u sfiduar në Gjykatën Kushtetuese, sepse një qeveri që përdor ligjet për të mbjellë pabarazi, nuk është qeveri e drejtë.
Meqenëse kam propozuar një projektligj për të njëjtin subjekt si Akti Normativ, dhe pasi kam pritur me muaj të tërë që mazhoranca të vinte në binarët e Kushtetutës, kam vendosur të tërheq këtë propozim ligjor. Synimi im ka qenë gjithmonë respektimi i dinjitetit të Profesionistëve të Lirë. Ky Akt Normativ tregon jo vetëm tërheqjen e Ministrisë së Financave nga sjellja abuzive, por edhe një hap drejt zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Së fundmi, dua të falënderoj Profesionistët e Lirë që u bashkuan në këtë betejë të drejtë, pa interes partiak, por me qëllim të qartë për t’u ndjerë të respektuar. Shpresoj që kjo përvojë t’i ketë mësuar qeverisë rëndësinë e zbatimit të vendimeve kushtetuese dhe respektimit të qytetarëve.