Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin e dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, që ndodhi më 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Autori, gjithashtu 14 vjeç, kërkoi zbutje të masës, por gjykata e ka rrëzuar kërkesën e tij. Ngjarja e trishtuar ka shkaktuar edhe një plagosje tjetër, atë të Luis Meçjas, i cili ndodhet jashtë vendit për trajtim mjekësor.
Familja e Martin Canit ka kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe ambasada e SHBA-së që të ndërhyjnë për zbardhjen e ngjarjes dhe për t’u siguruar që drejtësia të vihet në vend. Ata akuzojnë se ngjarja po mbulohet dhe se autorët mund të shpëtojnë pa u ndëshkuar.
LETRA E PLOTE DREJTUAR AMBASADËS SË SHBA
Ne që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit e djaloshit 14-vjecar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurtë në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.
Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuar humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe.
E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët i kanë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.
Zonja Nancy!
Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.
Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.
Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi te Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.
Kam besim te Ju.
Me respekt e dhimbje në Shpirt,
Angel e Florina Cani