Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti mbajtjen e Konferencës së Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila çeli negociatat për grup-kapitullin VI mbi marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e sigurisë.
Spiropali theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt objektivit strategjik kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda dekadës. Ajo gjithashtu nënvizoi angazhimin e Shqipërisë si promotore e bashkëpunimit rajonal dhe kontribuese për liri, siguri dhe paqe.
“Një hap tjetër i rëndësishëm drejt objektivit tonë strategjik kombëtar, Shqipëria në BE brenda dekadës.
Mbështetur në progresin tonë të pamohueshëm, Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri vendosi sot çeljen e negociatave për grup-kapitullin VI-Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.
Shqipëria do të vazhdojë të jetë promotore e bashkëpunimit rajonal, kontribuese aktive për mbrojtjen e lirisë, sigurisë dhe paqes.”-shkruan Spiropali në aplikacionin “X”.