Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u pyet sot për deklaratat e ish-ministres Spiropali kundër qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama pas debatit në mbledhjen e grupit ditën e shtunë. Por Kumbaro u shmang.
“Ju më kërkoni të jap opinion mbi opinionet. Unë po ju jap opinion me fakte. Unë i përkas brezit që bëri përmbysjen me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Unë kam përgjegjësinë e jashtëzakonshme që t’i përkas brezit që tani është shumë afër dhe ka përgjegjësinë politike për ta çuar Shqipërinë në Europë.
Kjo matet pikërisht me një punë që qeveria, prej tre mandatesh e pak e bën në mënyrë të matshme. Sloganet dhe dëshirat nuk mjaftojnë. Kjo matet me centimetra, punë dhe dokumentacione dhe unë sapo ju dhashë provën se një ndër këto dokumentacionet është një nga këto vendime që miratuam sot.
Monitorim i matshëm që monitorohet jo vetëm nga organet e shtetit shqiptar që e kanë për detyrë, por çdo akt ligjor apo nënligjor kalojnë së pari në filtrin e Komisionit Europian” tha ajo ndër të tjera.









