Kryetari i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, deputeti Dashamir Shehi, është shprehur se çështja e pronës në Shqipëri është përdorur për interesa elektorale dhe personale.
Komentet Shehi i bëri në një emisionin televiziv, ku tha se PD duke qenë në pushtet për shumë vite, është fajtore që prona nuk është kthyer te pronari legjitim.
Ai foli gjithashtu edhe për çështjen e pensioneve, për të cilën LZHK ka propozuar rritjen në 300 mijë lekë të vjetra të pensioneve minimale, ku evidentoi edhe se ku ndahet programi i forcës së tij politike nga ai i kryedemokratit Sali Berisha.
“A kemi probleme programi apo projekti me opozitën? Ne kemi qëndrime të ndryshme për rininë, për pronat, për pensionet. PD-së i binte të merrej me çështjen e pronës në radhë të parë, por nuk i leverdis kjo punë sepse humbin një pjesë të elektoratit. Ndërsa unë them se çështja e pronës nuk është çështje thjeshtë ekonomike, por çështje e shtetit të së drejtës.
A do hyjmë te shteti i së drejtës apo do i shesim interesat e qytetarëve në favor të interesave personale. Se çështja e pronës në Shqipëri është përdhunuar për hir të interesave elektorale. Të vazhdosh të mbash këtë qëndrim, të bësh sikur nuk kupton… Unë nuk pres që pronat t’i kthejnë socialistët.
Berisha ka shumë vite në pushtet. Unë nuk kam qenë në pushtet. Berisha e mendon punën e pensioneve ashtu si ka thënë me rritje 20 %, por nuk më rezulton si efektive si skemë. Propozimi i PD për pensionet nuk më pëlqen sepse 20 % e një pensioni që është 120 mijë lekë, janë 24 mijë lekë të vjetra. Dhe ai që është i varfër, mbetet prap i varfër”, tha Shehi.