Spitali i Prrenjasit, i cili për vite me radhë ka vuajtur nga kushte të vështira dhe mungesa e pajisjeve si radiografia, u denoncua në vitin 2018 nga programi investigativ Fiks Fare. Atë kohe, spitali kishte aparatura të vjetra mbi 60 vjeçare, të cilat nuk ofronin shërbime efikase për 40 mijë banorët e zonës, si dhe për rastet e aksidenteve që ndodhnin.
Pas denoncimit të Fiks Fare, në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë investoi 25 milione lekë për rikonstruksionin e spitalit, duke u përqëndruar kryesisht në rinovimin e fasadës dhe disa rregullime të brendshme. Megjithatë, pajisjet e nevojshme për të siguruar një shërbim mjekësor të shpejtë dhe efikas, si radiografia, ende mungon.
Ky problem ka detyruar banorët e Përrenjasit dhe fshatrave përreth të udhëtojnë 40 minuta deri në Librazhd për të kryer një grafikë.
Mungesa e këtij shërbimi ka krijuar shqetësime të mëdha për ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore urgjente, duke u privuar nga një shërbim thelbësor që duhet të ofrohet pranë spitalit të tyre.
Spitali ka marrë një aparat radiografie “borxh” nga Spitali i Elbasanit, por ai nuk është instaluar ende, pasi mungon vaskë për larjen e filmave, një pjesë kyçe për funksionimin e pajisjes. Kostoja e vaskës varion nga 2,000 deri në 5,000 euro, por Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ende ta sigurojë atë.
Në një investigim të realizuar nga Fiks Fare, qytetarët e Përrenjasit shprehën shqetësimin e tyre për këtë mungesë dhe theksuan se udhëtimi deri në Librazhd është një barrë e madhe për ta, veçanërisht për ata me mundësi ekonomike të kufizuara.
Shërbimi i radiografisë, që dikur ofrohej në urgjencën e Spitalit të Përrenjasit, është jashtë funksionit për disa vite, edhe pse për godinën e spitalit u hodhën plot 25 milion lekë.Një infermiere të Spitalit të Përrenjasit, në një bisedë me bashkëpuntoren e Fiksit pohoi se aparati radiografik është në spital, por nuk është në punë për shkak të mungesës së vaskës dhe të një difekti që ajo ka. Ajo shtoi se është thënë se shumë shpejt do të bëhen ndërhyrje për zgjidhjen e problemit, por nuk kishte një afat të caktuar.
Për më tepër, shefi i shërbimit të urgjencës në Spitalin e Përrenjasit, Bashkim Vasku, shpjegoi se radiografia është jashtë funksionit për shkak të difekteve që ka pasur, dhe se pajisja e marrë nga Spitali i Elbasanit nuk është instaluar për shkak të defekteve të saj. Ai tha se janë në pritje të një pajisje të re dhe se kanë bërë kërkesa për këtë. Sipas tij, për momentin të gjithë pacientët që kanë nevojë për një grafikë dërgohen në Spitalin e Librazhdit.
Nga ana tjetër, në kundërshtim më bluzat e bardha që punojnë në Spitalin e Librazhdit, nën-drejtori Astrit Askurti konfirmoi se pajisja që u dërgua nga Spitali i Elbasanit është në gjendje pune, por nuk mund të përdoret për radiografi, pasi ajo ka ardhur pa vaskë. Ai tha se pajisja ka punuar vetëm për skopinë, por për shkak të mungesës së vaskës, grafitë nuk mund të bëhen.
Askurti theksoi se është bërë një kërkesë për vaskë dhe premtoi që problemi do të zgjidhet në janar të vitit të ardhshëm.
Ky skandal nxjerr në pah jo vetëm mungesën e pajisjeve të nevojshme për shërbimet shëndetësore, por edhe mangësitë e menaxhimit të burimeve dhe vonesat e zgjidhjes së problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve../Top Channel