Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, komentoi situatën e këngëtares Parashqevi Simaku, e cila u bë e njohur përmes një videoje që tregonte se ajo ishte e pastrehë në Nju Jork.
Bushati shprehu shqetësim për ndikimin e publicitetit në gjendjen psikologjike të Simakut dhe theksoi se ajo është qytetare amerikane, duke kërkuar që çdo zgjidhje të vijë nga autoritetet e SHBA-së, duke respektuar ligjet dhe procedurat civile. Ai gjithashtu pohoi se po punon ngushtë me biznesmenin Elton Ilirjani, i cili i ofroi ndihmë këngëtares.
Bushati: Jam thellësisht i prekur nga situata dhe ndjej një përgjegjësi të veçantë për ta trajtuar me kujdes. Do të bëj gjithçka që është në dorën time si në nivel institucional ashtu dhe në atë personal.
Jam në kontakt konstant me Ilirjanin në Nju York, që në fillim të situatës. Publiciteti dhe mediatizimi e ka rënduar psikologjikisht pacienten, i ka bërë dëm të madh. Parashqevia është qytetare amerikane me të drejta të plota. Çdo zgjidhje duhet të vijë nga këtu duke respektuar ligjet, procedurat civile, Komisionin Shëndetësor dhe largë dritave të publikut.