-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ardian Vehbiu: Mëkate dhe viktima

Kryesoret

U ndez një debat për Parashqevi Simakun dhe fatin e artistit, edhe pse mua m’u duk i stisur dhe sentimental; por në këtë debat u thanë edhe gjëra që meritojnë vëmendje, në mes gjërash të tjera që provuan se shoqëria jonë dhe kultura nuk është në gjendje të debatojë seriozisht për tema serioze dhe se formati i talk show-ve televizivë ka bërë dëme mbase që tani të pariparueshme.

Gjithsesi, Parashqevinë unë e mbaj mend turbullt, si këngëtare të mirë dhe prani të këndshme në skenë, por përndryshe nuk them dot se e ndiqja dhe as që më ka sjellë dritë e gëzim me artin e saj; sa pa u larguar nga Shqipëria në fund të vitit 1990, nuk pyesja shumë për muzikën pop në Tiranë dhe as për yjet (“yjet”) e saj, duke e pasur interesin muzikor gjetiu. Por habitem – madje revoltohem – kur dëgjoj që të thonë për të, mes të tjerash, se “i ka kënduar Enverit”, me synimin për ta denigruar statusin e saj para publikut.

Nuk po përmend këtu se kush ia ka thënë këtë dhe as po citoj – mundet që të jetë edhe e pavërtetë, por qortimi po qarkullon në mediat dhe kjo më lë të kuptohet se diku ka djegur dhe diku tjetër ka dhembur. Por është e papranueshme që kjo, “i ka kënduar Enverit”, të fillojë të përdoret si kriter moral, për të gjykuar brezat e para 1990-ës, që jetonin në totalitarizëm, ose në një regjim ku thelbi i marrëdhënieve të qytetarit me pushtetin ishte që “t’i këndohej Enverit,” madje deri atje sa edhe Enver Hoxha të bënte thirrje që të mos teprohej.

Parashqevia ka qenë këngëtare, për më tepër fare e re. Si këngëtare, agjencia e saj – ose aftësia për të marrë vendime me vullnetin e vet – ishte fare e kufizuar: këngët ia shkruanin dhe ia zgjidhnin të tjerët, mbase edhe rrobat që vishte në skenë ia caktonte regjisori; nuk do të habitesha sikur edhe modelin e flokëve t’ia diktonte grimierja. Ky ishte statusi i këngëtares në atë kohë – si interpretuese dhe fytyrë e një përpjekjeje kolektive prej ekipit që prodhonte eventin artistik.

Këtë farë deformimi e kam parë të ndodhë edhe me adhurimin për aktorët e Realizmit Socialist: i madh ky, i madh edhe ai tjetri, kollosi, ja edhe më i madhi fare, ylli, dhe pastaj edhe ylli me bisht. E kanë mbushur historinë e filmit shqiptar të Kinostudios me një lavdi që as nuk e kishte dhe as nuk e pretendonte. Harrohet që aktorët, njëlloj si këngëtarët interpretë, përgjithësisht nuk kishin agjenci; dhe puna e tyre ishte t’i realizonin rolet që u jepnin, në pajtim me drejtimin artistik të filmit, duke filluar nga udhëzimet e regjisorit. Duke i ngritur këta në qiell, shpërfillim të gjitha ato raste kur artistë individualë janë përpjekur dhe kanë arritur të ruajnë dinjitetin e tyre edhe moral edhe artistik, gjithë duke bërë koncesionet e pashmangshme ndaj komisarëve të regjimit.

Adhurimi i publikut për këngëtarët interpretë dhe aktorët është më shumë efekt anësor i një iluzioni naiv – lektisja pas sipërfaqes së një vepre arti. Për këto figura skenike, që dalin para publikut për të materializuar këngë dhe tekste të shkruara nga të tjerë, le të themi se është pjesë e talentit dhe e qenies së tyre që të tërheqin spektatorin me praninë e tyre, gjestet, lëvizjet, zërin dhe – në rastin e aktorit – aftësinë e jetërsimit.

Me fjalë të tjera, Parashqevia nuk e vendoste dot se çfarë do të këndonte, si do të këndonte dhe për kë. Nëse i jepnin të interpretonte një këngë për Enverin, do ta bënte – sepse kjo ishte esenca e saj; jo që t’i këndonte Enverit, por që të vepronte si pjesë e një ansambli a një kolektivi artistik. Nëse do të refuzonte që të këndonte për Enverin, atëherë karriera e saj do të merrte fund në atë moment dhe ne sot nuk do të dinim asgjë për Parashqevinë dhe mbase tani do të lexonim për rebelimin e saj te memorie.al. Dhe sa për modelin e artistit, që i nënshtrohet politikës me shpresën se ashtu do të realizojë veten si artist, natyrisht nuk ka nevojë të shtyhemi deri në periudhën totalitare – shembuj na ofron lirisht edhe e sotmja, madje në rrethana ku dramën e mbijetesës e ka zëvendësuar banaliteti i parasë dhe i protagonizmit.

Nga vitet e totalitarizmit kemi trashëguar dhe ende konsumojmë, si art, një sasi të panumërt veprash, duke filluar nga filmat e Realizmit Socialist, që prodhoheshin për synime të “edukimit të masave”, te vepra letrare nga autorë që sot i mbajmë mes të mëdhenjve të kulturës kombëtare, te piktura dhe skulptura që përjetësojnë versionet zyrtare – edhe ato propagandistike – të historisë; dhe vepra muzikore që, në mënyrën e tyre, glorifikojnë pozicionet kulturore të formuluara në oficinat ideologjike totalitare.

Të gjitha këto vepra u krijuan me vetëdije dhe vullnet të plotë, nga shkrimtarë, skenaristë, dramaturgë, piktorë, skulptorë, kompozitorë që e dinin se çfarë bënin dhe kishin zgjedhur që të merrnin pjesë në indoktrinimin e masës; më të iluminuarit e tyre, mbase shpresonin se do të arrinin të përcillnin, nëpërmjet konformimit dhe gjunjëzimit ndaj vullnetit totalitar, edhe elemente të së vërtetës artistike ose të tilla që të minonin entuziazmin dhe besnikërinë e publikut.

Ndryshe nga Parashqevia, të gjithë këta shkrimtarë, skenaristë, dramaturgë, piktorë, skulptorë, kompozitorë kishin agjenci të mjaftueshme, për ta kuptuar se kujt po i shërbenin dhe pse.

Para se t’i përgjigjemi pyetjes në se duhet dënuar sot moralisht një poet që i ka kushtuar Enverit një poemë apo një roman, apo një kompozitor që i ka kushtuar themelimit të PPSH-së një balet, apo një skulptor që ka gdhendur një statujë për Enverin, apo një kineast që ka drejtuar një film ku i thuret lavdi komunizmit dhe Enverit gjatë Luftës NaÇl, kemi nevojë si shoqëri për një refleksion që ende nuk e kemi bërë si duhet.

E vetmja përgjigje që i është dhënë një pyetjeje të tillë, është se nuk dimë dhe as njohim ndonjë shkrimtar apo artist, të viteve të totalitarizmit, që refuzoi ta bënte këtë dhe megjithatë vazhdoi të krijonte me sukses; çfarë do të thotë se refuzimi nuk ishte opsion i arsyeshëm. Deri edhe inxhinierët e pyjeve dhe veterinerët i fillonin disertacionet me një citat nga Enver Hoxha. Brezat e rinj sot nuk janë edukuar mjaftueshëm për të kuptuar se adhurimi eksplicit i regjimit ishte, në të shumtën e rasteve, performativ; siç ishte performative, sa për të sjellë një shembull tjetër, vota për “kandidatin e Frontit”, krahasuar me refuzimin për të votuar, ose votën “kundër”.

Përkrahja rituale e regjimit nga qytetarët ishte kushti elementar, për të qenë person publik.

Ndoshta sot dikush i lindur në vitet 1990 e ka të vështirë të kuptojë pse “t’i këndoje Enverit” gjatë regjimit totalitar nuk ishte akt aq absurd, dhe sidomos, nuk tregonte vetvetiu korrupsion moral. Ne, brezat që kemi jetuar atëherë, Enverin e kemi lexuar në shkollë, e kemi dëgjuar në radio, e kemi konspektuar dhe dhënë provim; Enverit i kemi kënduar në mitingje dhe i kemi parakaluar para tribunës për 1 maj; Enverit ia kemi varur portretin në murin e dhomës kryesore të shtëpisë. Mëkat? Nuk besoj, sepse mëkati parakupton zgjedhje, dhe ne zgjedhje zakonisht nuk kishim; madje edhe sikur zgjedhja të ishte në dispozicion, shumica prej nesh as që e mendonin dot si të realizueshme; dhe aq më tepër kur ishim të bindur se do të arrinim ta mbanim veç konformimin publik nga rebelimi privat, edhe me koston e një personaliteti të dyzuar.

Veç atyre që “i këndonin Enverit”, ka pasur edhe nga ata – mes nesh – që nuk mjaftoheshin të këndonin dhe të ishin entuziastë me regjimin dhe t’i besonin propagandës së përditshme, por edhe që rrinin vigjilentë dhe të gatshëm për të zbuluar armikun, që pikasnin ata “me shfaqje të huaja” dhe ata të tjerët “me lakra në kokë”, dhe që raportonin për ata që shijonin muzikë të huaj dhe lexonin letërsi të ndaluar dhe dëgjonin radiot e huaja; ata që denonconin shokët e tyre, të fejuarat, familjarët, kushërinjtë; informatorët e Sigurimit, që merrnin njerëzit më qafë me “informatat” e tyre.

Për këta mbase e shqipton njeriu më lehtë dënimin moral; paçka se gjithnjë duhet mbajtur parasysh konteksti, presioni psikologjik që u bëhej atyre që nesër do të rekrutoheshin dhe thjesht shfrytëzimi, nga ana e Sigurimit të Shtetit, i dëshirës së natyrshme të kujtdo, për të jetuar normalisht. Më kanë thënë për shokë të mi të afërt, që kanë rezultuar – kur janë hapur dosjet – informatorë të Sigurimit; e megjithatë nuk i dënoj dot kështu me instinkt, duke i dhënë vetes një superioritet moral që mbase nuk e meritoj. Si ta dënosh një nënë, të cilën e kërcënojnë se do t’ia futin djalin në burg, sikur të mos pranojë të spiunojë për shefin e vet? Si ta dënosh dikë, thjesht ngaqë nuk e gjen dot në vete forcën morale, për t’u bërë hero?

Shumë pak dolën heronj, nga ai regjim; sepse ishte në natyrën e tij, që të sheshonte, të shkatërronte, të asgjësonte çdo lloj virtyti publik tek individi; për ta shndërruar këtë në mishërimin e nënshtrimit dhe të gjunjëzimit, në ingranazh brenda një makine diabolike që prodhonte pushtet lakuriq. Ata që i shërbyen – me vetëdije ose për t’u konfirmuar – mbase nuk kanë sot pse të mburren, por edhe nuk kanë arsye të ndihen veçanërisht me faj, para brezave të mëpasmë.

Natyrisht kjo konsideratë nuk prek shtresën e lartë të pushtetarëve, hetuesit, operativët e sigurimit, torturuesit, shpifësit, ata që firmosnin për internimet, ata që urdhëronin përgjimet dhe poshtërimet, informatorët vullnetarë, kallëzuesit, dhe të gjithë ata të tjerët që u angazhuan me zell madje gjetën veten në persekutimin politik, social, moral dhe deri edhe fizik, të “armikut të klasës”; sepse këta kanë kryer krime dhe e kanë realizuar veten si kriminelë. Kanë qenë një pakicë dhe regjimi atëherë shpesh e ka pasur të lehtë ta kapitalizojë korrupsionin e tyre moral.

Ky korrupsion moral është trashëguar sot në formën e argumentit se “ne vetëm zbatuam urdhrat”, të cilit disa mbase i besojnë vërtet.

Dhe kthehemi këtu te Parashqevia vajzë e re këngëtare, në skenat e muzikës së lehtë: edhe ajo u integrua në mekanizmat e artit dhe të propagandës, dhe ua “përmirësoi” jetën masave, duke ua bërë më të pranueshme skllavërinë dhe nënshtrimin; edhe ajo “i këndoi Enverit”, në mënyrë që të gjithë ne që e dëgjonim dhe e admironim, “t’i këndonim Enverit”. Përgjegjësia e saj morale, të cilën sot disa ia përmendin, ka qenë në përpjesëtim me agjencinë e saj. Për të njëjtën arsye, edhe adhurimi sot i artistëve performativë (interpretë, aktorë, valltarë, balerinë, instrumentistë) të periudhës totalitare do duhej mbajtur në përpjesëtim me agjencinë e tyre – le të themi se disa prej tyre bënë më të mirën e mundshme, pa rrezikuar karrierën dhe të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre. Prandaj mbase zgjidhja më e mirë, për nivelin e sotëm të debatit, është që t’i mbajmë reagimet dhe gjykimet morale larg dhe të përpiqemi të kuptojmë pse sot e kësaj dite kemi nostalgji për mënyrën si komunikonin me publikun veprat dhe artistët e periudhës totalitare.

Shënim: lexuesve dhe komentuesve të mundshëm u lutem të mbajnë parasysh se po flasim për një person real, një nënë që kërkon djalin në një hapësirë tejnjerëzore të dhimbjes; dhe që përfundoi kundër dëshirës së saj në syrin reptil të vorbullës mediatike shqiptare. Shkrimi im më lart, e shumta, mund të merret si reagim ndaj cirkut të mediave dhe si përpjekje për të folur seriozisht, në një platformë që duket se e kanë pushtuar klounët – do të doja të ndihmonte edhe për të kuptuar se integriteti dhe dinjiteti i kujtdo, edhe i një personi dikur të ekspozuar ndaj publikut dhe që mbase ka përfituar nga ky ekspozim, ka nevojë të mbrohet nga të gjithë ne.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit