Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala është deklaruar fajtor të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë.
Këtë deklarim ai e bëri në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet.
Kjo prokurori e akuzon Shalën se kreu veprën në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin.
“Kur jam deklaruar jo i fajshëm, nuk kam qenë i intervistuar nga Prokuroria dhe nuk kam qenë i informuar se për çfarë është fjala. Tani deklarohem fajtor për çfarë thuhet në marrëveshjen e fajësisë”, tha Shala në Gjykatë, aktakuza e të cilit ishte konfirmuar pas rishikimit më 10 korrik 2024.
Brenda kësaj marrëveshjeje, për Shalën propozohet një dënim deri me tri vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë./ REL