Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj në Ballkanin Perëndimor, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.
Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.
Ajo tha se takimet si ky samit janë rast i mirë për ta çuar përpara perspektiven evropiane të të gjithë rajonit, por se, sipas saj, në procesin e zgjerimit BE-ja po i bën “padrejtësi” Kosovës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqytuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Osmani nguli këmbë se po të ketë vullnet politik nga ana e BE-së mund të gjinden modalitetet që të mandatohet Komisioni Evropian për ta shqyrtuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim.
Osmani foli edhe për çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se ato, pos që janë të “padrejta”, janë edhe “joevropiane” sepse, siç u shpreh, “po e dënojnë një popull me 1.7 milionë banorë, i cili është populli më proevropian në rruzullin tokësorë, me mbi 97 për qind të qytetarëve të saj që mbështesin procesin e integrimit në BE”.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Ndërkohë, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tha para fillimit të samitit se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se gjeografikisht i përket Evropës.
“Është e qartë se Komisioni Evropian, së bashku me mua, dëshiron me të vërtetë të shohë përparim në procesin e zgjerimit gjatë pesë vjetëve të ardhshme të mandatit tim. Jemi të gatshëm të punojmë për këtë”, tha Kalas.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se vendi i tij është “lider” në negociatat e anëtarësimit dhe se ambicia e tij është të bëhet anëtari më i ri i BE-së.
“Kemi vendosur një objektiv shumë ambicioz për t’u bërë shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028. Ky është një qëllim ambicioz, por sipas mendimit tonë, ende i arritshëm. Dhe, besojmë se duke u bërë Mali i Zi pjesë e BE-së, mund të dërgojmë së bashku një mesazh shumë të fuqishëm, të qartë dhe pozitiv për të gjithë të tjerët, për të gjitha vendet kandidate të tjera, se zgjerimi është ende i gjallë”, tha Millatoviq.
Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht gjashtw, pasi i nisi negociatat për anëtarësim më 2012.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pret bisedime të mira gjatë samitit, por shtoi se nuk ka pritshmëri të mëdha nga ky takim.
“Është mirë që mund të përgjigjemi ndaj të pavërtetave që disa do të thonë patjetër për Serbinë, dhe kaq”, tha Vuçiq para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ata 22, ajo i ka mbyllur përkohësisht 2. Por, negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tri vjet, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në samitin e përbashkët që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit.
Qëllimi i samitit BE- Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të bllokut, është që të forcohet partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përshirë integrimin gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së edhe para se ato një ditë të bëhen edhe formalisht vende anëtare.
Nga ky samit pritet të dërgohet porosia se BE-ja do ta trajtojë procesin e zgjerimit si prioritet të lartë dhe të shprehë interesin që ky proces të përshpejtohet. Kjo është përfshirë edhe në tekstin e Deklaratës së përbashkët të përgatitur për miratim në samit.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Tash ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në draftin e këtij dokumenti.
Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do t’u bëhet thirrje që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë mbeten kyç”, thuhet në këtë dokument.
Në veçanti do t’u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.
“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, theksohet në draftin e tekstit të deklaratës.
Të pranishëm në samit nga Ballkani do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.
Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas./rel