Çdo natë nga rrënojat hijet ngrihen
duke shkundur pluhurin e tragjedisë
(Fragment nga poezia “Ode për tempujt që nuk u harruan”)
Poezia ka aftësinë e veçantë e të përcjellit të emocioneve dhe të vërtetave që i tejkalojnë kufizimet e narracionit të mbështetur vetëm mbi fakte. Ndërsa dokumentarët tradicionalë mbështeten tek provat dhe faktet për të treguar një histori të vërtetë, ata shpesh e kanë të vështirë të regjistrojnë thellësinë emocionale të momenteve të caktuara historike – veçanërisht atyre që janë shenjuar nga tragjedi të pamundura për t’u rrëfyer në mënyrë tradicionale.
“Ode për tempujt që nuk u harruan,” një film poetik për masakrën e Çamërisë, duket se e kupton mjaft mirë këtë, ndaj edhe kërkon të tejkalojë kufijtë e rrëfimit të zakonshëm historik.
Boshti i filmit ngrihet mbi poezinë me të njëjtin titull të Luan Ramës që, me interpretimin e Alfred Trebickës, i jep peshë emocionale të gjithë narrativës. Perfomanca e përmbajtur e Trebickës i jep një intensitet edhe më të madh dhembjes dhe hidhërimit që përshkon vargjet e poezisë, duke krijuar një atmosferë meditative, ku dhimbja, ndonëse tejet e thellë, nuk shfaqet asnjëherë e ekzagjeruar. Ndodh shpesh që filmat e ngritur mbi tragjedi të mëdha njerëzore të devijojnë në melodrama por, Trebicka arrin të ndërthurë mjaft bukur ndjeshmërinë me të shkuarën dhe të tashmen, duke ruajtur gjithmonë kontrollin emocional.
Poezia mbështetet gjithashtu nga një gjuhë vizuale e fuqishme, e cila nuk është aty thjesht për të ilustruar fjalët, por për të amplifikuar përjetimin e tragjedisë. Përmes kësaj qasjeje reflektuese, filmi e fton shikuesin të përfshihet në ndjesitë e dhembjes dhe humbjes në mënyrë më të gjallë (thuajse fizikisht), se sa do të mund të arrinte një narrativë e mbështetur vetëm në fakte. Thënë ndryshe, në vend që të tregojë ngjarjet në mënyrë lineare apo të paraqesë fakte, filmi ofron hapësirën e nevojshme për të kuptuar pasojat emocionale të një kapitulli të errët të historisë shqiptare, shpesh e mënjanuar nga vëmendja për arsye të ndryshme.
Njëkohësisht, regjia (Pandeli Çeço) e rrit impaktin emocional të filmit edhe më tepër. Kamera, që gjendet vazhdimisht në lëvizje, përcjell vizualisht ndjesinë e vazhdimësisë mes të shkuarës dhe së tashmes, sikur kërkon të na thotë se ajo që ndodhi në Çamëri është akoma gjallë dhe përpiqet ende të na kontaktojë. Përgjatë filmit, një nga momentet vizuale më mbresëlënëse është ai i hënës, parë përmes trarëve të një shtëpie gjysmë të rrënuar. Është një imazh që përcjell sa shpresë, përmes dritës së zbehtë mes rrënojave, po aq edhe brishtësinë e vetë kësaj të fundit, pasi duket sikur trarët e gjymtuar do ta shpojnë hënën në çdo moment, për të na lënë sërish në errësirë.
Ritmi i filmit mund të jetë i ngadaltë për një pjesë të shikuesve, por është pikërisht kjo qasje e përmbajtur që nxjerr edhe më në pah thellësinë emocionale të tij. “Ode për tempujt që nuk u harruan” nuk është një film që i imponohet shikuesit. Përkundrazi, qasja e tij e tërhequr shërben si një ftesë që shikuesi të meditojë dhe reflektojë në lidhje me masakrën e Çamërisë dhe pasojat e saj sot.
Poezia, imazhet evokative dhe performanca aktoriale shfaqin të vërteta më të thella, shpesh të parrëfyera në lidhje me atë çka ndodhi në Çamëri, duke e shndërruar këtë tragjedi në një meditim mbi kujtesën, vuajtjen dhe rëndësinë e të mos harruarit.
“Ode për tempujt që nuk u harruan” pati premierën këtë të mërkurë (18 dhjetor) në Tiranë.
Titulli i filmit: “Ode për tempujt që nuk u harruan”
Skenari: Luan Rama
Regjia: Pandeli Çeço
Aktor: Alfred Trebicka
Kohëzgjatja: 30 minuta
Dhimbja dhe shpresa! Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” sjell “Ode për tempujt që nuk u harruan”