Deputeti Erion Braçe reagoi sot në Kuvend lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për taksën e profesioneve të lira, duke theksuar se ky vendim do të krijojë një precedent të rrezikshëm për Parlamentin dhe do të mungojnë 78 milionë euro çdo vit në buxhetin e shtetit.
Ai e quajti këtë një vendim të kaotik dhe të dëmshëm, që do të ndikonin në financat e shtetit deri në vitin 2029. Braçe gjithashtu hodhi akuza për keqinformim në lidhje me praktikat e ndarjes në lote për ndërtimin e rrugëve.
“Jemi në kushtet e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht është detyrim i Kuvendit të zbatojë vendimet e GJK. Kjo që qeveria ka sjellë është në përputhje me të gjitha procedurat e vendosura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Patjetër që gjithsecili nga ne ka të drejtë të japë mendimin e tij lidhur me votimin e Gjykatës Kushtetuese dhe precedentët që ai krijon. Votimi i konsumuar i Gjykatës Kushtetuese, praktikisht është kaotik. Në këtë rast është i tillë dhe mund të habisë cilindo që shqyrton vendimet e gjykatave brenda dhe jashtë vendit.
Tre gjyqtarë kanë votuar pro kërkesës së paraqitur, dy kanë dhënë një mendim paralel, por pjesërisht kundër, dy gjyqtarë kanë qenë kundër dhe dy të tjerë kanë qenë pjesërisht dakord po kundër gjyqtarëve që e kanë paraqitur këtë kërkesë. Nuk ka vendim gjykate tjetër të ngjashëm, por më keq se sa mënyra se si është votuar vendimi i GJK-së, dy precedent që krijon janë të rrezikshëm për Parlamentin. Tatimet dhe taksat dhe vendosja e tyre është atribut i Kuvendit dhe asnjë institucioni tjetër, as i qeverisë dhe i asnjë gjykate. Një precedent që do të rëndojë jo thjesht mbi këtë mazhorancë dhe precedenti i dytë është doktrinar”, tha ai.