Në Kosovë jetojnë 1,602,515 banorë. Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, në prezantimin e rezultateve përfundimtare të popullsisë. Këto të dhëna paraqesin vetëm popullsinë rezidente në Kosovë, pasi që procesi i regjistrimit të diasporës ende vazhdon. Deri më tani janë regjistruar rreth 550 mijë persona nga diaspora. Gjatë prezantimit të dhënave, Kastrati bëri me dije se ka një rritje të ndërtesave – banesave/shtëpitë, prej 21.5 për qind krahasuar me vitin 2011.
Numri i banesave të përgjithshme është rritur me 41.3 për qind krahasuar me vitin 2011, ndërsa numri i banesave të zakonshme është rritur për 35 për qind.
Te statusi i banimit, të dhënat tregojnë se në Kosovë popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8 për qind, ndërsa numri i banesave me qira dhe në forma të tjera mbetet shumë i ulët, përkatësisht 5.3 për qind dhe 1.2 për qind.
Numri i ekonomive familjare është rritur për 69 mijë e 505 apo 23.4 për qind krahasuar më 2011.
Hendeku gjinor është zvogëluar nga 11 mijë e 975 në vitin 2011 në 5 mijë e 539 në vitin 2024, që përfaqëson një zvogëlim prej 53.8 për qind.
Te mosha e popullsisë, rezultatet tregojnë se në vitin 2011, mosha mesatare e popullsisë ishte 29.97 vjet, ndërsa në vitin 2024 është 34.84. Mosha mesatare e femrave është 35.66, ndërsa e meshkujve 34.03.
Ulje ka edhe te dendësia e popullsisë. Nga 159.5 banorë në një kilometër katrorë, ka rënë në 146.9 banorë në një kilometër katrorë.
Po ashtu, ulje ka te shkalla e analfabetizmit. Nga 3.85 për qind sa ka qenë në vitin 2011, ka rënë në 2.2 për qind në vitin 2024.
Te përkatësia etnike, në Kosovë dominon bindshëm etnia shqiptare me 91.76 për qind, serbë janë 2.31 për qind, boshnjak 1.69 për qind boshnjak, turq 1.22 për qind, rom 0.55 për qind, ashkali 1.02 për qind, egjiptian 0.67 për qind, goran 0.58 për qind, të tjerë 0.13 për qind dhe pa përgjigje 0.06 për qind.
Struktura fetare e Kosovës dominohet nga besimi islam, ndërsa grupet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare.
93.49 për qind e popullsisë i përket besimit islam, 2.31 për qind atij ortodoks, 1.75 për qind katolikë, të tjerë 1.75 për qind, asnjë besim 0.50 për qind dhe pa përgjigje 1.50 për qind.