Organizata nga komuniteti shqiptaro-amerikan kanë publikuar një qëndrim të përbashkët sa i përket procesit të gjykimit që është duke vazhduar në Gjykatën Speciale të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në këtë letër thuhet se komuniteti shqiptaro-amerikan është i përkushtuar ndaj thellë ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë. Në këtë letër theksohet fakti se asnjë akuzë lidhur me trafikimin e organeve s’është ngritur, ndonëse Gjykata Speciale ka rrjedhur si rezultat i raportit të Dick Martyt me pretendimet për trafik organesh.
“Tashmë është evidente se këto akuza janë fabrikuar tërësisht për qëllime politike”, thuhet në qëndrimin e këtyre 22 organizatave shqiptaro-amerikane. Sipas tyre, Gjykata Speciale në vend se të angazhohet në mandatin e saj fillestar, ajo është angazhuar në veprime që cenojnë drejtësinë dhe paqen.
Në fund të letrës, këto 22 organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë bërë thirrje tek presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të vendosur vëmendjen ndërkombëtare tek ajo që po ndodh në Hagë.
Përveç kësaj i kanë bërë thirrje kryeministrit Kurti që të heqë kufizimin e fondeve që janë në dispozicion të paraburgosurve në Hagë, në mënyrë që të sigurohet mbrojtje e drejtë. Nga Kuvendi i Kosovës kanë kërkuar seancë dëgjimore të menjëhershme për këtë çështje.