Prokuroria ka kërkuar dënimin me 11 vite burg për Leonard Luzin dhe Muharrem Koroveshin të cilët dyshohen si persona që ishin të interesuar për vrasjen e Ines Hajrulles dhe Ervis Matodashaj në Vlorë. Për dëshmitarin e drejtësisë Amarildo Nikolli alias Xhenje, SPAK kërkon që ai të vuajë burg 2 vite e 9 muaj.
Sipas SPAK-ut, Leonard Luzi është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës ku shkak dyshohet të jenë përplasjet për lojërat e fatit.
Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori si dhe Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit, ky i fundit ende në kërkim.
Koroveshi, dhe Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes
Vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, nuk u bë e mundur, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj Amarildo Nikolli, nga shërbimet e policisë i janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.