-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Promovohen librat për gjimnazin “Asim Zeneli” dhe krijimtarinë e Shpëtim Emirit

Kryesoret

Me dt. 17 dhjetor ne sallën “Aleks Buda” te Akademisë se Shkencave, ne Tirane dhe me dt. 20 dhjetor ne “Shtëpinë Kadare”, ne Gjirokaster u zhvilluan aktivitete per promovimin e librave “Tempulli qe na mëkoi dhe na bekoi me dije për jetën” (Kujtime dhe mbresa te disa autoreve ne përkushtim te 100 vjetorit te çeljes se liceut te Gjirokastrës, sot gjimnazi “Asim Zeneli”, 1923 – 2023) dhe “Ne gjunjë para mirësisë” – Tregime për njerëz dhe ngjarje te jetuara, e autorit Shpetim Emiri, ish nxënës i gjimnazit te Gjirokastrës.

Në Tiranë aktiviteti u realizua nga një grup ish-gjimnazistësh të gjimnazit “Asim Zeneli”, që morën nismën dhe përgatiten botimin e librit për gjimnazin, ne bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Portalin mediatik “5 pyetje.al”, kurse në Gjirokastër nga bashkia e qytetit dhe Portali mediatik “5 pyetje.al.

Promovimet e te dy librave u realizuan me sukses ne prani te mjaft pjesëmarrësve, kryesisht gjirokastrite e sidomos ish nxënës te gjimnazit “Asim Zeneli”.
Ne promovimin e bere ne Tirane referuan prof. dr. Ksenofon Krisafi, prof. dr. Ymer Ciraku, prof. dr. Mimoza Kore, poete Vllasova Musta, ing. Ylli Asllani, ing. Shpetim Emiri, si dhe regjisori Leonard Bombaj.

Ne promovimin e bere ne Gjirokastër referuan prof. dr. Ksenofon Krisafi, prof. dr. Ymer Ciraku, shkrimtari Thanas Dino, inxhinieri arkitekt Ibrahim Emiri, prefekti Odise Kote dhe autori i librit inxhinieri arkitekt Shpëtim Emiri. Mori fjalën dhe diskutoi edhe kryetari i Bashkisë Flamur Golemi.

Ceremonitë u moderuan nga prof.dr. Ksenofon Krisafi dhe prof.dr. Ymer Çiraku.
Referuesit e librit “Tempulli qe na mëkoi dhe na bekoi me dije për jetën” evidentuan vlerat e ish liceut te Gjirokastrës, sot gjimnazi “Asim Zeneli”, si tempull i kulturës dhe vatër e dijes jo vetëm për qytetin e Gjirokastrës, por krejt jug-perëndimin e atdheut.

Ismail Kadareja, gjeniu i letrave shqipe e ish nxënësi i gjimnazit, ka bere vlerësimin e gjithë pranuar se Gjirokastra magjike kishte dy kështjella, kalanë hijerëndë mesjetare, si simbol të qëndresës dhe Gjimnazin e ndritshëm, si simbol te dijes. Gjimnazi “Asim Zeneli” konsiderohej “Tempull i Dijes”, jo vetëm prej ndërtesës impozante, por sidomos prej trupave pedagogjike cilësore, si dhe nivelit te lartë te mësimdhënies. Ai i ka dhënë Atdheut jo vetëm qindra personalitete të shquara të dijes, shkencës e kulturës, por edhe rreth 150 luftëtarë për çlirimin e atdheut te robëruar nga pushtuesit nazi-fashiste, një e treta e të cilëve dhanë jetën për liri ne lulen e rinise.


Ideja për botimin e një libri me mbresa e kujtime kushtuar gjimnazit emblematik të Gjirokastrës lindi prej një grupi të vogël ish-gjimnazistesh rreth një vit para 100 vjetorit të tij, jo vetëm si një dëshirë nostalgjike, por sidomos si një obligim qytetar. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e Bashkise Gjirokaster dhe mbështetjes së Portalit mediatik “5 pyetjet.al”. Grupi përgatitës i botimit shprehu falënderimet e sinqerta per zotin Flamur Golemi, kryetar i Bashkise Gjirokaster dhe zotërinjtë Ilir Babaramo e Alket Veliu, të cilët me dashamirësi mundësuan botimin e librit.

Libri përben një mozaik shkrimesh që karakterizohen nga elemente të përbashkët por edhe të ndryshëm. E përbashkëta e është se kanë të njëjtin objekt, gjimnazin “Asim Zeneli” dhe i përkasin të njëjtës moshë, moshës së bukur rinore të gjimnazistit. E veçanta ka të bëjë me faktin që mbresat e kujtimet janë shkruar nga ish-nxënës të gjimnazit tashmë me mosha të ndryshme, me kënd-vështrime të ndryshme, si dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme në kohë. Shumica e shkrimeve përshkohen nga nostalgjia për vitet e bukura te gjimnazit, për zilen simbolike te fillimit te vitit shkollor, nga respekti e nderimi për pedagoget e pasionuar e te përkushtuar, nga nostalgjia për shoqërinë e pastër e te sinqerte.

Gjatë ceremonisë në Akademinë e Shkencave, Zoti Ylli Asllani, bashkautor i librit, nisur nga fakti që Liceu i Gjirokastrës, sot Gjimnazi “Asim Zeneli”, është dëshmi e lidhjes midis kulturave franko-shqiptare, sugjeroi qe të shihet mundësia e transmetimit në autoritetet kompetente franceze të dëshirës për akordimin prej tyre të ndonjë dekorate ose titull nderi.
U mirëprit edhe ideja qe ti dërgohet propozim Presidentit të Republikës për akordimin e dekoratës se larte “ Nderi i Kombit”.
Referuesit ne promovim theksuan se ky libër, si kontribut modest me mbresa e kujtime të disa prej ish-nxënësve për gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës si tempull i dijes mund dhe duhet te pasohet ne te ardhmen me botime të tjera me shkrime e kujtime për atë gjimnaz, që mbetet gurrë e pashterur frymëzimi për gjithë ata breza që u edukuan dhe ata qe do të vazhdojnë të edukohen ne atë gjimnaz.

Ne promovimin e librit “Ne gjunjë para mirësisë”, u tha se autori, Shpëtim Emiri, ish nxënësi i shkëlqyer i gjimnazit “Asim Zeneli”, ndoshta sepse hyri disi me vonesë në rrugën e bukur të letërsisë, me krijimtarinë e tij, duket sikur kërkon të fitojë sa më shumë “kohën e humbur”. Librat e shkruar prej tij gjatë një periudhe rreth dhjetë vjeçare, dëshmojnë se tek ai, është gjallëruar muza e shkrimtarit, e ndrydhur deri vonë në thellësinë e ndërgjegjes së tij. “Në gjunjë para mirësisë!” është libri i dhjetë i autorit. Ai përfaqëson një përmbledhje me tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara, të shkruara jo vetëm me thjeshtësi e vërtetësi, por edhe me mjaft emocion artistik. U evidentua se libri përshkohet nga një ndjenjë e thellë njerëzore mirësie e deri në dhembshuri për çdo qenie njerëzore të shpërfillur nga fati, si për fëmijët e njomë, të cilët duke punuar luftojnë me sakrifice të shenjtë për mbijetesë, ashtu edhe për të moshuarit e vobektë e të braktisur nga indiferenca e pa mëshirshme e shoqërisë dhe shtetit.

Ky libër është gjithashtu një mozaik rrëfimesh, ku përshkruhen me një gjuhë plot figuracion situata të ndryshme dramatike me ndjesi therrëse, apo situata komike me humorin e këndshëm karakteristik të autorit. Në libër spikat veçanërisht respekti për njerëzit e thjeshtë e të mirë të kudondodhur në trevat ku ka punuar autori, si dhe mirënjohja e sinqertë për të gjithë miqtë që i kanë ofruar atij mirësi. Libri karakterizohet jo vetëm nga shtrirja gjeografike pothuaj në të gjithë territorin e vendit ku autori – inxhinier ka punuar, por edhe nga gjuha e pastër e plot ngjyrë nëpërmjet fjalë-formimeve të reja apo dialekteve të Gjirokastrës, Devollit, Labërisë, Mallakastrës e Myzeqesë, të cilat autori i përdor me mjeshtëri në dialogë.


Në libër mund të kontaktosh me një galeri të larmishme personazhesh interesantë të gjinive, moshave, krahinave, përkatësive fetare apo profesioneve të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e çiltër e të shkathët deri tek pleqtë e moçëm me thinja. Ne faqet e tij shfaqet filozofia popullore e njerëzve te thjeshte, përshkruhen kantiere të ndryshme ndërtimi, ku përmenden me respekt të vlerësuarit nga populli si “Lugatë të Punës”, përshkruhen miq te thjeshte e te mire italianë e deri tek ambasadori i Vatikanit në Shqipëri. Me humor miqësor e dashamirësi përshkruhen në libër personazhet pozitive, ndërsa me përbuzje e sarkazëm trajtohen disa personazhe negative e kontroversë. Përshkrim mjaft rrëqethës deri lemeritës i behet trafikut kriminal me gomone të qenieve fatkeqe njerëzore, si dhe absurditetit të shtetit bandit para skenave makabre.

Shpëtim Emiri, me përvojën e tij të pasur jetësore e profesionale si inxhinier, sigurisht që ka shumë subjekte, që ia vlen të shkruhen, kurse me përvojën e tij letrare si shkrimtar, tashmë i afirmuar në ambientet letrare, pa dyshim edhe në të ardhmen do të shkruajë letërsi, që do t’ia vlejë të lexohet.

Promovimi i të dy librave bashkërisht ishte një organizim i bukur, jo vetëm për përkujtimin e vlerësimin e Gjimnazit të shquar të dijes, por edhe te njërit prej ish nxënësve te saj si përfaqësues i kulturës e qytetarisë gjirokastrite.

Në përfundim të ceremonisë së zhvilluar në Gjirokastër, në takimin e përzemërt të rezervuar nga kryetari i bashkisë, Flamur Golemi, u diskutua ndër të tjera edhe për një propozim të iniciuar gati një vit me pare nga iniciatorët e librit “Tempulli qe na mëkoi dhe na bekoi me dije për jetën” për përshpejtimin e ritmeve të hapjes së Galerisë së arteve “Mumtas Dhrami”. Kryetari bashkisë, z. Golemi ritheksoi gatishmërinë e hapjes se saj sa më shpejtë. Me atë rast porositi nëpunësit përkatës që brenda gjysmës së parë të janarit 2025, të përfundojnë procedurat dhe formalitetet e duhura juridike.

Në emër të grupit prof. Ksenofon Krisafi dhe inxhinieri arkitekt Shpëtim Emiri i shprehën atij falenderimet më të përzemërta, duke premtuar bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm për realizimin konkret të këtij projekti.

Inxh.arkikekt
Ibrahim Emiri

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit