Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, i cili në një intervistë e cilësoi kreun e partisë, Sali Berishën, si opozitë të opozitës, duke bërë lojën e mazhorancës.
Noka i ka drejtuar Shehajt disa pyetje publike lidhur me një drekë të dyshuar në Firence me figura të njohura të qeverisë, ndërsa Shehaj ka cilësuar këto deklarata si shpifje dhe ka akuzuar Nokën për dhunë mediatike pas incidentit të dy ditëve më parë në Kuvend, ku Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shtyu forcërisht Shehajn nga foltorja.
Reagimi i Agron Shehaj.
“Këto janë të gjitha shpifje. Do të doja shumë që të mos flisnim për shpifjet e Flamur Nokës sepse ajo që ndodhi në Parlament është diçka që e panë të gjithë. Ky është vazhdimi i asaj që ka ndodhur në Parlament.
Nga dhuna fizike kanë kaluar në dhunën mediatike me shpifje. Këto janë 3 budadallëqe që vetëm një dikush që i ka ngelur ora tek politika e 1991 mund të vazhdojë dhe të ripërsërisi. Do të dëgjoni çdo ditë nga një shpifje të tillë.
Jo 3 po dhe 10-30-100. Nuk më ndalon dhuna, nuk më ndalojnë shpifjet. Unë këtë betejë e kam filluar e do ta çoj deri në fund. Po vidhen shqiptarët përditë. Nuk po vidhen vetëm nga mazhoranca, por po vidhen në bashkëpunim.
Kjo është kauza ime dhe për këtë do të flas. Janë shpifje, shpifje, shpifje. Janë totalisht shpifje. Unë i ftoj qytetarët të shikojnë shpifjet nga një anë dhe faktet nga ana tjetër.
Ai nuk e fsheh, është fakt që Flamur Noka thotë që skandali prej 1.3 miliard euro është një çështje fake, e thotë vetë, nuk është një thashethem apo akuzë që unë bëj. Janë fakte. Me kë është Flamur Noka është fakt.
Nuk ke nevojë ta vrasësh mendjen, e shikon sepse ta plasin në fytyrë”, u shpreh Shehaj.