Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjesh në qytezën lindore gjermane, Magdeburg.
Raportohet se 15 persona të plagosur janë në gjendje kritike. Agjencia e lajmeve dpa ka thënë se shoferi i makinës është arrestuar. Burri i arrestuar nuk ka qenë në radarin e institucioneve për zbatim të ligjit, dhe as nuk është njohur si islamist.
Sipas gjetjeve fillestare, burri dyshohet se është rreth moshës 50-vjeçare dhe është nga Arabia Saudite, dhe besohet se ka shkuar në Gjermani më 2006. Makina raportohet të ketë depërtuar 400 metra në brendësi të turmës.
Zëdhënësi i qytezës Magdeburg, Michael Reif, që gjendet rreth 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ka thënë se incidenti duket se ka qenë i qëllimshëm.
“Vlerësimi fillestar është që ka pasur sulm në tregun e Krishtlindjes”, ka thënë Reif për median gjermane MDR. “Janë disa viktima. Brigada e zjarrit dhe policia janë në skenën dhe po trajtojnë të plagosurit”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se raportimet sinjalizojnë se diçka e keqe ka ndodhur, dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e viktimave.