Kreu i PD-së, Sali Berisha, dërgoi një mesazh për protestuesit e arrestuar gjatë mosbindjes civile në Tiranë.
Ai falënderoi qytetarët që morën pjesë në protestë dhe garantoi se ata që urdhëruan arrestimet dhe keqtrajtimin e protestuesve do të përballen me ndëshkimin e merituar ligjor.
Berisha u shpreh se aksioni i opozitës ka qenë një nga më të fuqishmit dhe që ka tmerruar qeverinë, ndërsa pohoi se PD do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.
Sali Berisha: Në fakt, prej këtyre mosbindjeve civile që ne kemi zhvilluar periodikisht, prej aksionit të parlamentit që kemi bërë gjatë vitit, prej protestave të përjavshme tek bashkia e Tiranës, prej qëndresës në 333 ditë në Rrugën e Shpresës, demokratet dhe demokratët kanë realizuar para Shqipërisë dhe shqiptarëve të pamundshmen dhe kjo ka terrorizuar, ka tmerruar qeverinë dhe opozitarët e opozitës.
Vetëm falë mosbindjes civile ne e rikthyem flamurin e PD. Vetëm falë mosbindjes civile është arritur të mbrojmë votën e shqiptarëve me tre rezoluta ndërkombëtare që kanë dënuar narkoqeverinë e Tiranës, veçanërisht rezoluta e fundit e IDU, organizatë që kryesohet nga Partia Republikane që vjen në pushtet në SHBA më 20 janar të vitit që vjen.
Në këtë listë të sukseseve, së shpejti do realizojmë qeverinë teknike si një sukses i radhës i opozitës shqiptare dhe si një dëshmi e radhës për papagajtë e qeverisë dhe opozitarët e opozitarëve, se ato që duken të pamundura për ta, PD i bën plotësisht të mundshme. Po kështu duhet të siguroj shqiptarët se PD në këtë përpjekje, me 11 maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri.
Dua të falënderoj edhe njëherë ata dhjetëra mijëra qytetarë që morën pjesë në Nmosbindjen civile më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe në kushtet më të veçanta. Dua të përshëndes përsëri të arrestuarit tanë në qelitë e diktaturës dhe t’i garantoj se autorët e burgosjes së tyre, e keqtrajtimit, do marrin të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor.