Policia e Shtetit ka shpallur planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit, duke nisur nga 24 dhjetori deri më 3 janar 2025. Pjesë e këtij plani është rritja e pranishmërisë së forcave të rendit, shtimi i patrullave dhe monitorimi i vazhdueshëm i akseve rrugore dhe pikat e kalimit kufitar.
Masat synojnë parandalimin e ngjarjeve kriminale, aksidenteve dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, ndërsa do të lehtësohet lëvizja e shtuar e automjeteve dhe fluksi i vizitorëve.
Në prag të festave, Policia ka shtuar kontrollin në zonat me frekuentim të lartë si shëtitore, lokale dhe qendra tregtare, dhe do të bashkëpunojë ngushtë me policinë bashkiake për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve festive.
Për të parandaluar aksidentet rrugore, do të përdoren radarë, dronë dhe mjete të pauniformuara, ndërsa prezenca e forcave të rendit do të rritet edhe në netët e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve, për të garantuar një atmosferë të sigurt dhe pa incidente.