Në Serbi ka revoltë, thotë deputeti shqiptar në Beograd, Shaip Kamberi. Në rast se presidenti serb Aleksandar Vuçiç e fiton betejën me qytetarët, thotë ai, do e çojë Serbinë në drejtim të diktaturës. Rrugët e kryeqendrës së Serbisë janë mbushur me protestues kundër Vuçiçit dhe qeverisë atje. Mbi 100 mijë njerëz dolën në rrugë në një organizim të studentëve dhe sindikatave të fermerëve. Atje po përkohet përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacionit të trenit në Nov Sad, ku humbën jetën 15 njerëz.
“Regjimi pret që festat e fundvitit të sjellin një ulje pak të protestave, sepse njerëzit janë duke u marrë me protesta por nga ana tjetër ata që janë në prapaskena të organizimit të protestave duhet ta dinë se nëse ndërpritet, i ndalet hovi, ato edhe do të pushojnë aty”, deklaron Kamberi për KosovaPress.
Në përpjekje për të penguar protestat, Qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët. Dhuna e herëpashershme ka përcjellë protestat, ndërkaq nga grupe pro-qeveritare ka pasur përpjekje për të penguar protestat.
“Ajo që është me rëndësi për vitin tjetër të shohim se cili do të jetë reagimi i Bashkimit Evropian ndaj protestave dhe ndaj regjimit të Vuçiçit në tërësi, çfarë qëndrimi do të mbajnë ata dhe çfarë qëndrimi do të mbajë administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me një shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, që merr financat nga BE por që mendjen e ka tek perandoritë e lindjes, qoftë te Rusia, qoftë te Kina”, përfundon ai.