Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka treguar se ka marrë një ftesë për të qenë në partinë e deputetit Agron Shehaj. Malaj me anë të një postimi ka treguar se e ka refuzuar këtë ftesë dhe thekson se prej vitesh ka qenë deputet i Partisë Socialiste. Ai ka treguar edhe tetë arsyet përse nuk ka pranuar ftesën e Shehajt.
“1. Integriteti është gur themeli i besimit. Pa të, çdo ndërtesë politike është e destinuar të shembet. Asnjëherë për asnjë karrige nuk do t’i zhgënjej të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë sakrifikuar për PS-në.
- Nuk i preferoj kërcimet nga njëra parti në tjetrën për poste deputetësh apo ministrore. Churchill deklaronte se: “për parime unë ndërroj parti, për parti nuk ndryshoj parime”. Janë të pakta rastësi ky i Churchill-it kur kalimi nga një parti në tjetrin bëhet për të krijuar mazhoranca të reja parlamentare. Politikani që bën këtë kalim “ylberi”, e bën, sepse me këtë kapërcim, ai bëhet lider i partisë së tij dhe vendit të tij.
-
Respekt për veten. Eleanor Roosevelt, një ikonë e politikës amerikane, këshillon se: “Askush nuk mund të ndihet i pandershëm pa pëlqimin e tij”. Ndaj e pata të vështirë të pranoja mosrespektimin dhe të pranoja një ftesë spontane, e cila as nuk njihte dhe për rrjedhojë nuk i respektonte kontributet e mia në jetën publike, shkencore dhe politike të vendit tim nga viti 1991 e deri më sot.
-
Angazhimi im që nga fillimi i pluralizmit në të majtën progresive në vitin 1991 nuk ishte një vendimmarrje spontane dhe aq më pak karrieriste. Kur hyra në Partinë Socialiste në vitin 1991, ambienti politik ishte shumë i tensionuar. Pata fatin që pata mundësinë të kontribuoja në uljen e tensioneve politike dhe një përfaqësim dinjitoz të socialistëve në Vlorë, në atë periudhë shumë të tensionuar deri armiqësore midis shqiptareve. Në atë periudhë të vështirë, kryetar i PS-së në Vlorë ishte Gëzim Tushe, një personalitet dhe intelektual me vizion të qartë për përgjegjësitë e PPSH dhe për sfidat e vështira të Partisë Socialiste. Gëzimi ishte/është një personalitet që gëzonte respekt nga i gjithë spektri politik në Vlorë.
Unë u bashkova me të majtë, sepse edhe sot besoj se nuk mund të zgjidhen probleme të vështira si thellimi i varfërisë dhe pabarazisë në nivele ekstreme deri në atë pikë sa 8 miliarderët më të mëdhenj kanë pasuri sa 3.5 miliardë banorë, ose gjysma e popullsisë së botës, nga duart e padukshme/të fshehura të Smithit. Përballë ekonomisë së tregut që absolutizon efektet e duarve të padukshme, preferoj dhe mbështes modelin e ekonomisë sociale të tregut, ku kohezioni social dhe solidariteti qetësojnë plagët sociale të dështimeve të tregut të lirë.
-
Z. Shehaj së fundmi ka nisur një fushatë si gjithë të tjerat me agresivitet në rritje dhe jo me një platformë qeverisëse bindëse për reformat në politikë dhe ekonomi. Ai duhet të bëjë një ndryshim thelbësor, duke konkurruar me program alternativ bindës dhe me një gjuhë të moderuar të komunikimit publik.
-
Z. Shehaj mund të përfitojë nga konkurrenca e platformave, nga demokracia brenda partisë së tij. Vrasja e demokracisë së brendshme të partive në Shqipëri ndodhi pas ndryshimeve kushtetuese 2008. Sot partitë politike në vendin tonë janë shoqëri me përgjegjësi të përbashkët (SHPK) me një pronar/aksioner të vetëm, që është kryetari i partisë.
-
Jo më pak e rëndësishme është deformimi i profilit publik të z. Shehaj, i cili në vend të bëjë dallimin pozitiv në politikën shqiptare, ai po përplaset në podiumin e Kuvendit të Shqipërisë dhe emisionet në mediat vizive me një agresivitet shqetësues.
-
Si ekonomist, e vlerësoj të shëndetshme për demokracinë rritjen e platformave konkurruese. Sidomos në ambientin tonë politik të monopolizuar dhe të korruptuar.”, shkruan Malaj.