Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi sot në mëngjes Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, për t’i përcjellë Arqipeshkvit Arjan Doda urimet e Tij më të mira për Krishtlindje të gëzuara për të gjithë besimtarët katolikë.
Kreu i Shtetit takoi një grup qytetarësh amerikanë që shërbejnë në vendin tonë, të Ngarkuarën me Punë në Shqipëri dhe punonjës të Ambasadës Amerikane, të cilët i falënderoi për punën e tyre dhe iu uroi Krishtlindje të gëzuara.
Imzot Arjan Dodaj falënderoi Presidentin për rolin e tij unifikues, për qëndrimet e tij të matura e të paqta, duke theksuar se shoqëria jonë ka nevojë për mesazhe shprese, paqeje e paqëtimi.
“Në një botë plot sfida, Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të përforcuar frymën e bashkimit midis nesh. Krishtlindja na kujton se asnjë vështirësi nuk mund ta shuajë dritën që lind brenda nesh kur veprojmë me dashuri dhe besim”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti i Republikës përcolli urimet e tij edhe në selinë e Kishës Ungjillore të Tiranës për besimtarët ungjillorë. Ai u prit nga kreu i kësaj kishe, Pastor Ergest Bitri, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.