-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ushqime, lodra, veshje apo… Çfarë po blejnë më shumë shqiptarët këtë fundvit?

Kryesoret

Festat e fundvitit, pavarësisht nga sfidat ekonomike dhe ndryshimeve në sjelljet e konsumatorëve, vazhdojnë të mbeten një periudhë ku shqiptarët janë të prirur të shpenzojnë më shumë për të ruajtur traditat dhe atmosferën festive. Ky sezon krijon një kombinim të traditave të njohura dhe të trendeve të reja duke gjallëruar aktivitetin ekonomik dhe duke nxitur blerje në disa kategori specifike.

Përtej blerjeve të zakonshme si veshje, dekorime dhe ushqime të posaçme, vihet re një interes gjithnjë në rritje për produkte teknologjike dhe artikuj unikë, që krijojnë një përvojë të veçantë për festat. Një tjetër prirje është rritja e kërkesës për edicione të limituara dhe dekorime që sjellin ndjesinë e ekskluzivitetit, si pemët e Krishtlindjeve, të cilat mund të jenë artificiale ose natyrale, dhe aksesorët shoqërues; apo produkte si Advent Kalendar.

Në të njëjtën kohë, nuk është njësoj për të gjitha shtresat e shoqërisë. Inflacioni dhe kostot në rritje kanë ndikuar te buxhetet festive të shumë familjeve duke sjellë kufizime në shpenzime dhe një qasje më të kujdesshme ndaj prioriteteve. Për disa, kjo periudhë mbetet e ngarkuar me sakrifica, ndërsa për të tjerë, është një mundësi për të investuar në produkte cilësore, ose për të përjetuar momente të veçanta.

Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Monitor”, produkte të preferuara gjatë festave të fundvitit kanë qenë:

– Veshje festive dhe aksesorë:

Gjatë periudhës së festave të fundvitit, shqiptarët u kushtojnë rëndësi të veçantë veshjeve festive dhe aksesorëve për të reflektuar atmosferën e gëzueshme të sezonit. Përtej blerjes së rrobave të zakonshme, ata shpesh zgjedhin artikuj të veçantë dhe të dizajnuar posaçërisht për këtë periudhë. Në atelienë “Bel Eve” raportojnë një rritje të kërkesave për krijime ekskluzive, të cilat përfshijnë veshje me ngjyra të ndritshme, motive festive dhe detaje simbolike që përfaqësojnë shpirtin e festave. Për shembull, një bluzë e personalizuar fillon nga 1500 lekë, ndërsa produktet më të kërkuara janë për fëmijët, për shkak të festimeve dhe aktivitetit të shtuar në kopshte dhe shkolla.

Për shumë shqiptarë, fundviti është koha ideale për të rinovuar garderobën dhe për të blerë aksesorë të rinj, si çanta, orë, bizhuteri dhe këpucë. Sipas disa komunikimeve me dyqane të shitjes me pakicë, dyqanet fizike dhe ato online shohin një rritje të kërkesës për produkte të tilla gjatë periudhës festive, veçanërisht për dhurata. Shpenzimet për këto produkte mund të variojnë nga 5,000 deri në 30,000 lekë për artikuj të veçantë dhe marka të njohura, që janë të kërkuara për t’u dhuruar gjatë fundvitit.

Sa u përket aksesorëve dekorativë, dyqane si “Nova Home” dhe “Megatek” kanë vënë re një rritje të konsiderueshme të shitjeve këtë vit, sidomos për bredhat e Krishtlindjeve, qofshin ata artificialë apo natyralë. Kostoja e një bredhi fillon nga 8000 lekë, ndërsa kërkesa është përqendruar në modele të ndryshme që plotësojnë shijet dhe preferencat e konsumatorëve. Gjithashtu, dekorimet shoqëruese, si dritat LED, topat dekorativë dhe elemente të tjera festive, kanë qenë të preferuara për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë dhe festive në shtëpitë shqiptare.

Ndërkohë, në dyqanin “Oda Shop” ofrohen jo vetëm bredha dhe zbukurime, por edhe artikuj të ndryshëm për kuzhinë që ndihmojnë familjet të përgatiten për darkat festive. “Këtë vit kemi vërejtur një interes të madh jo vetëm për dekorimet tradicionale, por edhe për produktet praktike të kuzhinës, si sete enësh festive dhe vegla kuzhine me motive të fundvitit. Familjet shqiptare kërkojnë t’i japin një pamje të veçantë dhe të kuruar çdo aspekti të festimeve”, pohon përfaqësuesi i dyqanit. Ky lloj diversiteti ka tërhequr konsumatorët që duan t’i japin rëndësi çdo detaji, duke e kthyer shtëpinë në një hapësirë me ngrohtësi dhe gëzim festiv.

Kombinimi i veshjeve, dekorimeve dhe produkteve praktike reflekton dëshirën e shqiptarëve për të pasur një pamje të kuruar dhe një ambient të këndshëm gjatë festave, duke sjellë një ndërthurje të traditës me tendencat moderne.

– Ushqime dhe Pije:

Festat e fundvitit shënojnë një periudhë kur ushqimet dhe pijet festive zënë një vend të rëndësishëm në shpenzimet e konsumatorëve shqiptarë. Traditat kulinare shqiptare mbeten në qendër të vëmendjes, duke përfshirë përgatitjen e darkave të pasura me mish, sallata dhe ëmbëlsira tradicionale si bakllavaja dhe kadaifi. Përveç këtyre, trendet e viteve të fundit tregojnë një interes në rritje për produkte të importuara, veçanërisht pijet alkoolike premium, verërat cilësore dhe përbërës të veçantë që i shtojnë sofistikim tryezës festive.

Sipas përfaqësuesve të “Big Market”, gjysmën e dytë të dhjetorit është vërejtur një rritje e ndjeshme e shitjeve, veçanërisht në kategorinë e pijeve alkoolike dhe bulmetit, që janë të domosdoshme për përgatitjen e recetave tradicionale. Kërkesa për produktet cilësore ka qenë më e lartë këtë vit, duke reflektuar përpjekjen e familjeve për të krijuar një atmosferë të veçantë, pavarësisht sfidave ekonomike.

Në anën tjetër, ëmbëlsirat tradicionale vazhdojnë të dominojnë listën e preferencave. Pastiçeria “Sultan Baklava” raporton një fluks të lartë porosish për bakllava, një ndër ëmbëlsirat më të preferuara për këtë periudhë. “Kostot e një kilogrami bakllava fillojnë nga 1800 lekë dhe këtë vit kemi pasur kërkesa të shumta për variante të personalizuara, me shtesa si arra, fistikë apo shurup me aromë agrumesh” thotë përfaqësuesi i pastiçerisë.

Gjithashtu, rritja e kërkesës për produkte të shpejta si ëmbëlsirat industriale dhe pijet freskuese tregon se shumë konsumatorë preferojnë të kombinojnë komoditetin me traditën. Këto prirje pasqyrojnë diversitetin e mënyrave të festimit të shqiptarëve, ku çdo familje përpiqet të sjellë një përvojë unike në tryezën festive.

– Elektronika:

Një rritje e dukshme në blerjet e produkteve elektronike dhe pajisjeve smart është vërejtur gjatë periudhës festive të fundvitit, një tendencë që tregon se shqiptarët po shpenzojnë më shumë për teknologjinë për të përmirësuar përvojën e tyre të jetesës. Kjo përfshin një gamë të gjerë produktesh, nga telefonat, pajisjet inteligjente për shtëpi etj.

Sipas informacionit të marrë nga “Neptun”, kërkesa ka qenë kryesisht për televizorë smart, një kategori produktesh që ka vazhduar të tërheqë vëmendjen e konsumatorëve edhe këtë vit. Përveç pajisjeve për argëtim, televizorët që ofrojnë cilësi të lartë imazhi dhe mundësi për shërbime streaming janë bërë të preferuar për shumë familje shqiptare. Oferta për televizorët smart varion nga kostot më të ulëta, për modele bazë, deri në ato më të shtrenjta, të cilat shkojnë deri në 100 mijë lekë. Ky trend tregon rritje të interesit për cilësinë e argëtimit dhe përmirësimin e ambienteve të shtëpisë me teknologji të avancuar.

Përveç televizorëve, kërkesat për pajisje të tjera inteligjente për shtëpi janë gjithashtu në rritje. Kjo përfshin produkte që mundësojnë automatizimin e funksioneve të përditshme, si fshirës robotikë, ndihmës virtualë që menaxhojnë pajisjet në shtëpi, dhe sisteme të avancuara sigurie që mund të monitorojnë shtëpinë në distancë, sipas komunikimeve me “Shpresa AL”. Këto produkte janë bërë gjithnjë e më të përhapura, duke reflektuar një ndryshim në preferencat e konsumatorëve shqiptarë, që janë gjithnjë e më shumë të interesuar për të sjellë teknologjinë në çdo aspekt të jetës së tyre.

-Shpenzimet për dekorin e shtëpisë dhe mobilimin:

Disa shqiptarë preferojnë të rinovojnë shtëpinë e tyre në prag të festave të fundvitit, duke investuar në mobilie të reja, dekorime të brendshme dhe ndriçim të ri. Kjo përfshin gjithashtu blerjen e pasqyrave, qilimave, perdeve dhe elementeve të tjera që i japin një ndjenjë të re dhe festive shtëpisë. Dyqanet e mobilieve dhe ato të dekorimeve ofrojnë zbritje dhe oferta speciale për këtë periudhë, duke i bërë ato një mundësi tërheqëse për shpenzime ekstra. Shpenzimet për këto produkte mund të variojnë nga 10,000 deri në 50,000 lekë, në varësi të produkteve dhe markave.

-Lodra:
Kërkesa për lodra ka pasur një rritje të dukshme gjatë periudhës së festave të fundvitit, duke reflektuar dëshirën e prindërve për të befasuar fëmijët me dhurata që do të sjellin gëzim dhe do të nxisin imagjinatën e tyre. Lodrat janë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e festimeve të fundvitit dhe këtë vit, dyqanet kanë ofruar një gamë të gjerë opsionesh që u përshtaten nevojave dhe preferencave të ndryshme të fëmijëve. Sipas përfaqësuesve të “Shtëpia e Lodrave”, një nga dyqanet më të njohura për shitjen e lodrave, kërkesa ka qenë e lartë për lodra edukative, ato që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike dhe mendore të fëmijëve. Po ashtu, lodrat e teknologjisë janë shumë të kërkuara, si ato interaktive që mund të komunikojnë me fëmijët dhe t’u ofrojnë atyre mundësi argëtimi dhe mësimi në të njëjtën kohë. “Këtë vit kemi parë interes të madh për lodrat që kombinojnë argëtimin me edukimin, veçanërisht për fëmijët e moshave 3-7 vjeç, mesatarisht shpenzohet 3500 lekë për një fëmijë”- tha një përfaqësues i dyqanit.

Po ashtu, nga dyqani “AlbaGame” është raportuar një rritje e kërkesës për lojëra dhe lodra elektronike, si CD e lojërave dhe aksesorët për to, që janë bërë një dhuratë e preferuar nga të rinjtë. “Në këtë periudhë, lojërat më të kërkuara janë ato që mundësojnë mundësi multiplayer dhe përvoja virtuale, që i bëjnë festat më të veçanta dhe të paharrueshme”- bëjnë të ditur.

– Sete fotografike:

Gjithashtu, shërbimet fotografike kanë qenë gjithnjë e më të kërkuara gjatë periudhës së festave të fundvitit. Me rritjen e përdorimit të mediave sociale dhe dëshirën e individëve për të dokumentuar çdo moment të rëndësishëm të jetës së tyre, shumë njerëz kanë zgjedhur të investojnë në shërbime profesionale për të krijuar kujtime.

Sipas studios “Amarildo Thomaj Photography”, kërkesat për shërbime fotografike kanë qenë të larta gjatë këtij sezoni, veçanërisht për seancat fotografike që realizohen në studio. Ky trend ka ardhur si pasojë e kushteve të motit me temperatura më të ulëta, që i bën ata të preferojnë ambientet të mbyllura dhe të ngrohta për të realizuar imazhe të bukura. Përveç kësaj, ka pasur gjithashtu kërkesa për fotografi të realizuara në ambiente të veçanta si festat e organizuara në hapësira të dekoruara me motive tradicionale të fundvitit. Kostoja e shërbimeve të tilla, sipas studios, fillon nga 10 mijë lekë dhe mund të variojë prej paketave dhe kërkesave specifike të klientëve. Shërbimet përfshijnë gjithashtu mundësi të personalizuara si fotografi në grup, imazhe të familjeve dhe fëmijëve, si dhe mundësinë për të krijuar albume dhe suvenire me imazhet më të bukura nga festat.

-Shpenzimet për aktivitete argëtuese dhe organizime private:

Një tjetër kategori e shpenzimeve të rëndësishme është për aktivitete argëtuese, si organizimi i festave private, darkave dhe i ngjarjeve speciale me miq dhe familjarë. Shumë shqiptarë, veçanërisht ata që jetojnë në qytete të mëdha si Tirana, parapëlqejnë të organizojnë mbrëmje festive në restorante të njohura ose lokale private, ku mund të kalojnë natën me ushqim, pije dhe aktivitete muzikore. Kostoja për një darkë festive në një restorant të mesëm mund të shkojë nga 3,000 deri në 10,000 lekë për person, në varësi të vendit dhe programit të ofruar.

-Udhëtime

Një tjetër fushë ku shqiptarët shpenzojnë shumë gjatë periudhës së fundvitit është udhëtimi. Shumë familje dhe individë preferojnë të kalojnë fundvitin jashtë, qoftë për t’u çlodhur në bregdet, në destinacione malore apo për të vizituar vende të tjera brenda dhe jashtë vendit. Të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të festave shkon për udhëtimet. Bileta për avion janë ndër shpenzimet më të zakonshme. Sipas statistikave të marra nga agjenci turistike në kryeqytet, shqiptarët kanë shpenzuar për udhëtime dhe aktivitete turistike, duke zgjedhur destinacione më të largëta gjatë periudhës së fundvitit, ku vende si Dubai dhe Lapland në Finlandë kanë qenë trendi i viteve të fundit.

-Shpenzime ekstra:

Një tjetër sektor ku shqiptarët shpenzojnë më shumë gjatë periudhës së dimrit është energjia dhe ngrohja. Me temperaturat që bien ndjeshëm, shumë familje rrisin shpenzimet për ngrohje, qoftë përmes përdorimit të sobave me dru, qoftë me gaz ose energji elektrike. Këto shpenzime janë të zakonshme për periudhën e fundvitit, kur kërkesa për energji është më e lartë, për shkak të kushteve të motit. Gjithashtu, kërkesa për dru ka qenë e lartë apo lëndë pelet./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit