Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi në një deklaratë për mediat u shpreh se shëndetësia falas rezultoi dhe po provohet çdo një mashtrim i madh dhe i pabesë i “Rilindjes”. Blushi tha se po paraqiten çdo ditë skandale të pafundme tek Onkologjiku.
“Drama e familjes së një 2-vjeçari të diagnostikuar me tumor, i cili për 10 ditë nuk trajtohej me kimio se nuk kishte ilaç në QSUT, është dëshmia e radhës e një sistemi shëndetësor të degraduar, çnjerëzor dhe kriminal, ku nëse nuk paguan jo vetëm nuk merr asnjë shërbim por rrezikon të humbësh edhe jetën.
Kjo ngjarje shumë e rëndë që meriton një hetim të thelluar dhe një ndëshkim të ashpër penal, që duhej të shoqërohej me dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, nuk duhet të kalonte në heshtje.
Por si për çdo skandal të Narkoqeverisë, SPAK-u pret sinjalin nga Edi Rama për të nisur hetimet për një ngjarje kaq kriminale, që minimalisht duhet të kishte sot disa të pandehur.
Është kriminale që të sëmurëve me tumore, në veçanti të miturve, ju ndërpritet terapia për shkak të mungesës së barnave.
Numri i pacientëve me sëmundjet tumorale është gjithnjë e në rritje, ndërsa buxheti për onkologjikun gjithnjë e në rrënie.
Mbi 7 mijë raste të reja me sëmundje tumorale regjistrohen çdo vit në vend.
Por shëndeti i qytetarëve asnjëherë nuk ka qenë në vëmendjen e “Rilindjes”.”, tha ai.
Blushi nënvizoi se janë mbi 750 milionë euro që paguhen nga xhepi i qytetarëve më të varfër të Europës, që Edi Rama u ka premtuar shëndetësi falas. Ai u shpreh se korrupsioni dhe klientelizmi ka shkaktuar mungesën e vazhdueshme të barnave në tregun farmaceutik për të trajtuar sëmundje kronike dhe jetike për pacientët.
“Për Partinë e Lirisë, shëndetësia është objektiv madhor ndaj ne angazhohemi:
Të rritim shpenzimet për këtë sektor jetik në mesataren e rajonit në nivelin 6% të PBB, si dhe të dyfishojmë pagat e mjekëve dhe infermierëve duke i dhënë fund largimit dramatik të tyre nga vendi.”, tha Blushi.