Qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë efektivët e policisë për festat e fundvitit me një bonus që varion nga 10 deri në 15 mijë lekë. Ky vendim, që pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, do të përfitohet nga rreth 8700 punonjës të forcave të rendit, kryesisht ata me paga më të ulëta.
Shpërblimi do të ndahet në dy nivele: 10 mijë lekë për ata me paga më të larta dhe 15 mijë lekë për punonjësit me paga më të ulëta, të cilët përbëjnë shumicën e efektivëve. Pjesë e këtij shpërblimi do të jenë vetëm punonjësit e nivelit bazë deri te ata me gradën “inspektor”, ndërsa ata me grada më të larta nuk do të përfitojnë.
Ky vendim vjen në një periudhë të veçantë për policinë, e cila përballet me orë të gjata pune dhe fluks të lartë gjatë festave të fundvitit. Ai është pjesë e një politike më të gjerë të mbështetjes për kategoritë me paga më të ulëta, të cilat përfshijnë gjithashtu pensionistët dhe punonjësit e administratës.